Nga Artan FUGA
Çfarë drame, mungesa e dramave! Unë e kuptoj varfërinë, por si nuk pashë një film shqiptar për varfërinë. Unë e kuptoj drogën, por si nuk pashë një dramë shqiptare me tematikë tragjike nga droga.
Unë e kuptoj emigrimin, por si nuk pashë një poezi të fuqishme ose vëllim poetik nga autorë shqiptarë që të na drithëronte për të. Unë e kuptoj konfrontimin trupor të shqiptarit me natyrën, por si nuk dëgjova për një shfaqje cirku që të tërhiqte masat.
Unë i kuptoj barcaletat dhe thashethemnajën popullore, por si nuk pashë një koncert që të tundte ndërgjegjet e përgjumura me valle dhe këngë popullore. Unë nuk kuptoj ku shkuan filmat, dramat, poezitë, cirku, për të mos thënë shfaqjet me artin muzikor popullor shqiptar.
Ku vajti arti ynë??? Vetëm një llollollollo e pafundme që ka zëvendësuar estradën, cirkun, dhe një popull i privuar nga arti i vet. Çfarë kazani bosh!
Çfarë drame mungesa e dramës!
Një banalitet dhe mediokritet që vret! Simboli i gjithë kësaj është shndërrimi i ndërtesës së ish-Kinostudios në tre pjesë kompementare:
1. Ministria që bën strategji si të bëjmë strategji.
2. Televizione komerciale që sigurisht do të donin që e gjithë koha e shqiptarit të harxhohej para ekranit.
3. Shkolla e filmit kur filma nuk ka më.