Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar këtë të enjte se partia e tij është në proces reflektimi pas humbjes në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ndërsa ka siguruar se pas këtij procesi do të dalin më të fortë dhe më të bashkuar.
“Ju siguroj që demokratët do marrin në dorë fatin e tyre PD do dalë nga ky proces e fortë dhe e bashkuar, ky është synimi. Detyra e parë është e imja jam i gatshëm të ndërmarr çdo hap që PD të jetë e fortë dhe e bashkuar e mësimin e madh të 6 marsit, që është domosdoshmëria të jemi sa më të fortë përpara këtij regjimi. Jemi në proces reflektimi”, u shpreh Basha jashtë selisë së PD-së për mediat.
Intervista e plotë me gazetarët:
Lulzim Basha: Siç e dini, kemi filluar konsultimet për një reflektim të thellë për 6 marsin. Kam pasur mbledhje të grupit të deputetëve, të grupit të kryetarëve, do vazhdojmë me mbledhjen e Kryesisë. Jemi në proces të thellë reflektimi, pasi padiskutim do të marrim përgjegjësi duke filluar nga unë i pari.
Kjo do të thotë që do të jepni dorëheqjen apo do ketë garë për kryetar?
Lulzim Basha: Nëse paragjykoj se çfarë do të ndodhë, pa u ulur, pa folur me bashkëpunëtorët, me njerëzit aktualisht që flasim kryetarët e degëve kanë kontakt me strukturat në bazë për të folur, ne jemi në proces reflektimi, duhet të respektoj ata njerëz që kanë mendimet e tyre, sjellin mendimet e të tjerëve. Prandaj jemi në një proces, që nisi që ditën pas 6 marsit, vazhdoi ditën tjetër, do vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, me një synim, interesin më të mirë të demokratëve. Sepse duket qartë, arsyeja kryesore është përçarja dhe konflikti mes nesh.
Je i gatshëm për tu votëbesuar?
Lulzim Basha: Jam gati të bëj çdo gjë në interes të demokratëve.
Edhe të shkoni në votëbesim?
Lulzim Basha: Jam gati të bëj çdo gjë në interes të partisë.
Do dorëhiqeni, përfundimisht! S’do garoni më?
Lulzim Basha: Jam gati të bëj çdo gjë në interes të Partisë Demokratike, por duhet të keni pak durim. Por t’i paragjykojmë apo paraprijmë ngjarjeve, nuk është gjë e mençur.
Sa do të zgjasë ky proces?
Lulzim Basha: Do mbedhim Kryesinë. Ndërkohë Kolegji i Kryetarëve ka kërkuar për ta konsultuar, deputetët gjithashtu, është një proces reflektimi i brendshëm, disa prej tyre kanë kërkuar edhe analizë për të 6 bashkitë. Ju siguroj që demokratët do marrin në dorë fatin e tyre, PD do dalë e fortë dhe e bashkuar. Detyra dhe përgjegjësia e parë është e imja, jam gati të ndërmarr çdo hap që PD të jetë e fortë e bashkuar dhe të dalë nga humbja e 6 marsit, mësimin e madh të 6 marsit që është domosdosmëria për të qenë sa më të fortë përballë këtij regjimi.
Hiqni dorë nga deklarata se s’keni humbur asnjë garë?
Lulzim Basha: S’kemi arritur akoma aty. Do takohemi prapë. Po bëhet nami me naftën dhe i pari qeverisë ia ka mbathur në Dubai.