Policia ka ndërhyrë për të ndërprerë takimin e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, në Durrës, me qytetarët e prekur nga tërmeti, për shkak se ajo nuk mbante maskën mbrojtëse për koronavirusin. Kryemadhi ka marrë sot një gjobë të dytë, pasi edhe një ditë më parë, Panorama mësoi se Policia e kishte gjobitur Kryemadhin për mosmbajtjen e maskës.
Ja debati me efektivin
Polici: Mua s’më jep urdhër Edi Rama, mua më jep urdhër policia e shtetit
Kryemadhi: Policia e Shtetit e ke vendimin e paligjshëm. Polici sanitare, kaq.
Polici: Kartën me vete e keni? Keni shkelur aktin normativ për mosvendosjen e barrierës mbrojtëse, do ndëshkohesh 3 mijë lekë bashkë me zonjën.
Kryemadhi: Jeta e këtyre zotërinjve kushton më shumë se 3 mijë lekë gjobë.
Polici: Keni kartë me vete?
Kryemadhi:Unë jam Monika Kryemadhi vlla, e bija e Ramazan Kryemadhit, 9 prill 1974 datëlindja, 30 mijë lekëshi jot edhe i REdi Ramës s’është asgjë përballë shtëpisë së kësaj zonjës, kësaj që i kanë ikur të gjithë fëmijët, nuk ka gjobë që i zgjidh hallin.
Mos u shqetëso se më 25 prill do e gjobisin shqiptarët Edi Ramën, bam bam e do ja çjerrin maskën.