Duke marrë shkas nga një kronikë të transmetuar sot me datë 03.08.2021, në median lokale TV1 Channel me titull: “Ura e Mesit në mëshirë të fatit!”, shohim më se të drejtë detyrimin tonë institucional, për të sqaruar opinionin e gjerë publik dhe për të përgënjeshtruar këtë media lokale që, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër, është institucioni që ka mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore në të gjithë territorin që ajo administron, ku sukseset dhe arritjet e punës së këtij institucioni në fushën e trashëgimisë kulturore dhe jo vetëm, janë pasqyruar edhe në median lokale TV1 Channel…
Kronika është përgatitur me qëllim për të denigruar punën dhe arritjet ndër vite të këtij institucioni i cili gjatë kësaj qeverisjeje ka:
13-të fishuar të ardhurat falë luftës kundër korrupsionit, mirëmenaxhimit dhe punës së përkushtuar e të vazhdueshme në përmirësimin e infrastrukturës, në mirëmbajtje, në restaurim, në rritjen e cilësisë së shërbimit, promovim dhe bashkëpunime të ndryshme në funksion të mbarëvajtjes së punës.
Ka zhvilluar aktivitete kulturore, ku promovimi dhe sensibilizimi i bërë nga këto aktivitete por edhe nga mënyra e qasjes tonë ndaj komunitetit, ka ndryshuar imazhin dhe përceptimin e deriatëhershëm për punën e institucioneve të kulturës.
Ka bërë evidentimin dhe regjistrimin e vlerave të reja të trashëgimisë kulturore materiale, në territorin që ky institucion administron, që tashmë janë pjesë e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, gjithashtu të tjera objekte të pa evidentuara më parë, janë në proces.
Së fundmi me inisiativën personale të titullares së këtij institucioni dhe bashkëpunimit me Diasporën shqiptare, do ketë investime në fushën e kulturës për ngritjen e muzeve etno-kulturor, në qarkun Shkodër, dhe kjo praktikë është konsideruar si shembull i shkëlqyer bashkëpunimi qeveri-diasporë, për zhvillimin e vlerave kulturore në të gjitha qarqet e Shqipërisë.
Sa i takon akuzave se gjoja, Ura e Mesit është në mëshirë të fatit… dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se ato janë totalisht të pavërteta pasi këtij objekti nuk i ka munguar asnjëherë vëmendja nga DRTK Shkodër, duke filluar nga mirëmbajtja periodike e vegjetacionit përreth këtij objekti, hartimi por edhe zbatimi i projekteve të restaurimit po në këtë objekt, gjithashtu edhe hartimi i projekteve të reja duke filluar me përmirësimin e sinjalistikës e cila është punë në proces..
Për akuzat e stisura dhe shpifjet e qëllimta nga media TV1 Channel, që ka realizuar këtë kronikë tendencioze dhe të porositur, i sjellim në vëmendje se objekti shtrihet në një territor i cili administrohet nga Bashkia Shkodër dhe NJ.A Postrribë, ndaj është detyrë funksionale e këtyre dy institucioneve të kujdesen, të mirëmbajnë dhe të pastrojnë mbeturinat urbane në territorin që administrojnë, dhe pavarësisht këtij fakti ne kemi ofruar gjithmonë bashkëpunimin tonë në mënyrë që ky objekt i trashëgimisë të ketë një prezantim sa më dinjitoz tek vizitorët, bashkëpunim jo gjithmonë i pranuar nga këta të fundit.
Rezultatet e punës së DRTK Shkodër, arritjet dhe faktet flasin më shumë se çdo akuzë e pabazë dhe tendencioze. Mirëpresim bashkëpunimin e të gjitha mediave, gjithnjë në funksion të mirëinformimit të opinionit publik, përmes dhënies së informacioneve të vërteta, të cilat pasqyrojnë realitetin e punës së DRTK Shkodër. Ju falenderojmë për mirëkuptimin! /Deklaratë për mediat e DRTK Shkodër/