Edhe pse urdhër- arresti për ish- kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frroku është lëshuar që në orën 13:00, policia ende nuk ka arritur ta arrestojë.
Më herët, pas kontaktit me avokatin e tij Neshat Fanaj, ai deklaroi se Frrokaj ka marrë kontakt me policinë dhe është duke pritur veprimet procedurale.
Avokati ka sqaruar se Frrokaj ka qenë duke u kthyer për në Lezhë dhe ka lajmëruar vetë autoritetet për të kryer procedurat e dorëzimit të tij.
Kujtojmë se ish kryebashkiaku i Lezhës është dënuar sot nga Gjykata e Apelit të Shkodrës me vendim të formës së prerë me 3 vite burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.
Megjithatë, në vendim saktësohet se “bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit më burgim për të pandehurin F. Frroku, duke vënë në provë për pjesën e mbetur të dënimit me burgim për një periudhë kohe prej dy vitesh, me detyrimin që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepra penale dhe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.”. A e ka marrë vesh këtë vendim policia e Lezhës apo jo?
Me gjasë, Frrokaj do të paraqitet në policinë e Lezhës por do të lirohet ashtu siç e parashikon vendimi i Gjykatës së Apelit në dispozitiv, i bërë tashmë publik.