Ehhh mor Koço Devole…! Sot 1 vit nga dita kur u largove përgjithmonë… Çdo ikje është e rëndë, e hidhur dhe plot dhimbje, ashtu siç ishte dhe largimi yt.
Koço i dashur, jeta dhe puna na rrëmben, rutina na bën që të të mos mendojmë çdo ditë, por sa herë gjatë punës e procesit krijues, përmendim emrin tënd si referim , sepse ti je “Mali i rëndë” me të cilin matemi për t’u ngjitur të gjithë…
Ti duhet të jesh libër ne shkollen e artit të komedisë. Unë s’kam fuqi të vendos që në këtë përvjetor te parë të largimit tënd të të nderonin me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, duke u mbledhur dhe folur për Ty…se siç e ke thënë Ti në gjallje…”është lëshuar dora sa nuk mblidhet më”. Po dekorohen edhe lokalet, së fundmi urdhërin “Mjeshtër i Madh” e mori dhe “paçja” o Koço , sepse është pjata e preferuar e një shokut të Presidentit…
Nejse, që të mos e zgjas sepse ti nuk i kishe shumë qejf llafet e shumta…po meqë jemi tek shteti, kam shumë dëshirë që një sallë e Teatrit të humorit apo Estradës në Tiranë të marrë emrin tënd, Teatri “Koço Devole”… Edhe në mos paçin talentin sa Ty…emri që do mbajë teatri, do ketë peshën e emrit dhe artit tënd magjik.
Koço i shtrenjtë! Ka plot të tjerë që kanë ç’ të flasin e shkruajnë për Ty, edhe më shumë se mua…por është “beteja” ime që Ti dhe emri yt të gdhënden jo thjesht në memorien e njerëzve por në memorien e kombit që quhet histori. Sepse historia e humorit shqiptar ka shumë emra te nderuar dhe thellësisht të respektuar por kurrë një emër si Yti…,Ti ishe, je dhe do mbetesh Aristokrati i komedisë shqiptare…, Perandori i Humorit shqiptar, Koço Devole. Mirënjohje pa fund! /Publikuar në rrjete sociale nga Agron LLAKAJ/