Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka mbledhur sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, takim që ishte paralajmëruar që nga dita e djeshme prej tij, pas tensioneve në veri të Kosovës.
Krahas presidentit Vuçiç, në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare morën pjesë kryeministrja Ana Bërnabiç, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral Milan Mojsiloviç, ministri i policisë Bratislav Gashiç, drejtori i BIA-s, Aleksandër Vulin, si dhe krerët e Shërbimeve të sigurisë.
Mediat serbe njoftojnë se është rënë dakord që ushtria serbe të mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë ushtarake.
Presidenca serbe njoftoi se një nivel i tillë angazhimi është vendosur për shkak të përdorimit “brutal” të forcës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe forcave të tij.
Gjatë takimit u vlerësua se KFOR-i nuk e ka kryer punën e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike nga Kumanova.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviç, është i autorizuar të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me komandantin e KFOR-it, në përpjekje për të siguruar që misioni të përmbushë funksionin dhe mandatin e tij në përputhje me aktet përkatëse të OKB-së dhe të mbrojë serbët në Kosovë.
“Serbia do të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj”, përfundon deklarata pas seancës së Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Vuçiç, i cili është edhe komandant i ushtrisë, dje ka lëshuar urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të
Ushtrisë Serbe në nivelin më të lartë, ndërsa ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviç ka thënë se Forcat e Armatosura janë duke u dislokuar në pozicione drejt vijës administrative.
“Serbia nuk do të lejojë një “Stuhi” tjetër si 17 marsi dhe do të përgjigjet në mënyrë adekuate, para së gjithash politike, por nuk përjashtohet mundësia edhe e një përgjigje tjetër”, tha Vuçeviç.