Nëse ka diçka që konsumohet çdo ditë e pothuaj çdo vakt, ai është vaji! Të gjitha ushqimet e përpunuara, akoma edhe buka përmbajnë vaj. Në çdo gatim përdoret vaj. Ky fakt e bën vajin të jetë ndër ushqimet që ndikon më shumë në shëndetin tonë, në varësi të cilësisë së tij.
Sipas studimeve të shumta, vaji i misrit dhe i lulediellit, kur nxehen formojnë substanca – aldehide, të cilat kanë efekt kancerogjen dhe nxitës për shumë probleme shëndetësore, si: dëmtim të arterieve, tension të lartë, inflamacion gjatë shtatzënisë dhe ulcerë.
POR, rreziku më i madh qëndron në ndikimin e vajit të gatimit në përbërjen yndyrore të trurit tonë. Neuronet kanë një shtresë yndyre që i izolon dhe ajo përbëhet nga një raport i caktuar i acideve lyrore omega 3 dhe 6.
Vajrat bimor si i misrit dhe lulediellit përmbajnë acide lyrore omega 6 me shumicë. Kjo bën që konsumi i tepruar i tyre të deformojë raportin e yndyrnave në tru. Pasojat janë të lidhura ngushtë me probleme serioze të shëndetit mendor si disleksia, demenca etj.
Me çfarë vaji të gatuajmë?
Gjalpi, vaji i kokosit dhe vaji i ullirit janë yndyrnat që formojnë më pak aldehide kur nxehen. Për këtë arsye, është më mirë të gatuhet me to. /Nga dietologia Blerina Bombaj/