Lë mandatin deputeti i PD-së Fatjon Veizaj. Me anë të një postimi në “Facebook”, Veizaj parashtron vendimin dhe arsyet e heqjes dorë nga mandati i deputetit.
Ai deklaron se vala e re e përjashtimeve në Partinë Demokratike ishte e tepërt dhe ul edhe me tepër besueshmërinë dhe seriozitetin për të ardhmen grupimit vendimmarrës.
Veizaj thekson se duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, ka vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit.
POSTIMI I PLOTË
Të nderuar miq,
Kur pata nderin të zgjidhem deputet i Partisë Demokratike në Qarkun e Vlorës, nuk e kisha menduar kurrë përçarjen e demokratëve. Për fat të keq, prej një viti e gjysmë, Partia Demokratike nuk po ia del t’i japë fund përçarjes. As lidershipi dhe as deputetët e saj nuk po i përgjigjen interesit të demokratëve për ta bërë atë një forcë udhëheqëse, të respektueshme dhe fituese.
Vala e re e përjashtimeve në Partinë Demokratike ishte e tepërt. Mund të jetë një vendim taktik në funksion të numrave në grup, por vendimi ul edhe me tepër besueshmërinë dhe seriozitetin për të ardhmen grupimit vendimmarrës.
Kanë plot të drejtë demokratet në zemërimin, zhgënjimin, madje edhe sarkazmën e tyre. Të treja këto ndjesi i kam përjetuar gjatë këtyre ditëve.
Në këtë kohë të trazuar për Partinë Demokratike, jam përpjekur të mos e ushqej përçarjen, të qëndroj pranë zgjedhësve, të respektoj bindjet e tyre, por zhvillimet e fundit kanë treguar se ndarja në Partinë Demokratike është e pakthyeshme.
Duke refuzuar kategorikisht përjashtimet nga njëra anë, por dhe mënyrën e përdorur nga individë të caktuar në kërkim pushteti personal, pa respektuar dinjitetin e deputetëve të zgjedhur dhe me pasojë thellimin e përçarjes nga ana tjetër, kam vendosur të heq dorë nga mandati i deputetit.
Detyrën time si opozitar do të vazhdoj ta kryej me kohë të plotë, duke punuar me kandidatët e opozitës për një rezultat sa më të mirë në zgjedhjet lokale!
Falënderime për të gjithë ata që më kanë mbështetur në këtë rrugë të pashkelur më parë!