Federata Panshqiptare Vatra reagoi ndaj votës së Shqipërisë për rezolutën e iniciuar nga Turqia kundër propozimit të SHBA-ve për Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Presidenti i Vatrës Dritan Mishto thotë se mbështetësit dhe simpatizantët e saj në SHBA dhe mbarë botën janë ndjerë tejet të zhgënjyer nga votimi kundër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Rezolutën e paraqitur në OKB.“Kjo votë kundër SHBA e Kryeministrit Edi Rama është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, si edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Votimi i Qeverisë Shqiptare kundër SHBA është akti i dytë publik i Kryeministrit Edi Rama, pas deklarimit të tij të mëparshëm se zgjedhja e Trumpit President të SHBA “Zoti na ndjeftë, do të dëmtonte botën demokratike”. “Vota e Qeverisë Shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara konsiderohet nga Federata Vatra si një Akt Antikombëtar”.Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, thuhet në deklaratë rikonfirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Presidentit Trump dhe dënon me ashpërsi sjelljen antikombëtare të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.