Pak orë pas vdekjes së 56-vjeçarit Novruz Shyti policia e Korçës ka ndaluar një person. Policia dhe prokuroria në Korçë janë në pritje të ekspertizës mjeko- ligjore, që do të përcaktojë shkakun e vdekjes.
Por burime nga policia e Korçës bënë me dije se nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës, janë konstatuar gjurmë gjaku dhe hematoma në fytyrë.
Për këtë arsye është ndaluar i riu që u konfliktua mbrëmjen e kaluar me viktimën, duke e dhunuar në gjendje të alkoolizuar. Emiljano Nazifi po merret në pyetje nga policia për të zbardhur ngjarjen.
Ende nuk është e sigurt, nëse plagët, janë shkaktuar gjatë konfliktit me Emiljano Nazifin, apo janë pasojë e humbjes së ekuilibrit dhe rrëzimit përtokë të viktimës.
Trupi i pajetë i 56-vjeçarit do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, e cila do të kryhet nga një grup mjekësh të Institutit të Mjekësisë Ligjore, që pritet të mbërrijnë në morgun e Korçës.