Nga Afrim IMAJ
Ajo që ndodhi me Tuk Jakovën natën fatale të gushtit ’59 në spitalin e burgut të Tiranës, nuk u zbardh asnjëherë. Zyrtarisht u tha se ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë. Mjekët nga ana e tyre ofruan dy opsione të tjera: Vdekje pas operacionit të apendicitit dhe plasje e papritur e tëmthit. Ende sot pas kaq vitesh kanë mbetur të dyshimta rrethanat në të cilat pushoi zemra e Tuk Jakovës, të dënuarit politikë për tradhti të lartë ndaj atdheut.
Në një rrëfim për gazetën “Panorama”, Bujana Jakova, vajza e vogël e liderit të martirizuar, për herë të parë pranon ta bëjë publike rrethanat si ka ndodhur vdekja e të atit në spitalin e burgut. Ajo tregon edhe bisedën me Bedri Spahiun, shokun e qelisë së Tuk Jakovës.
“Kur kishte mbushur një vit e gjysmë burg, më 17 gusht 1959, gjatë daljes në ajrim i fillojnë krizat e apendicitit. i bënë një vizitë formale dhe e mbyllën në birucën e tij, ku rrinte me bashkëvuajtësin dhe mikun e tij, Bedri Spahiu. Për dy ditë, duke trokitur në derë me forcë për ndihmë mjekësore, Bedriu i theu nallanet që kishin në dhomë”, thotë Bujana.
“Na i ka shpjeguar me detale zoti Bedri këtë moment. “U binda,- thotë ai,- se kishin vendosur ta linin të vdiste në qeli. Kaq i madh ishte mllefi dhe urrejtja për të”. “Shokët”, ata që e kishin kryqëzuar me damkën e armikut të Partisë dhe popullit, të bindur se shpresa për mbijetesë ishte shuar, menduan se është më mirë që Tuku të vdiste në spital sesa në qeli. Kështu do të ishte një eliminim dhe krim banal. Sa kriminelë ishin “shokët” e kishin vërtetuar me disa shembuj deri atëherë, por patën frikë se do t’i pëlqente kështu “kryeshokut”. Shpirtërisht, po, moralisht, jo… dhe kjo mund të kishte pasoja për ta”.