Ndërron jetë në spital 23-vjeçari Aldison Belulaj, i cili para një jave qëlloi për vdekje me armë zjarri ish-të dashurën e tij. I riu nga Fieri pas vrasjes së Ariela Muratit tentoi vetëvrasjen, por mbeti i plagosur rëndë. Aldison Belulaj kishte një hematomë në tru, në ditët e fundit kaloi në ‘vdekje klinike’, ndërsa pasditen e sotme ndërroi jetë.
Dy të rinjtë ishin nga fshati Zharrëz i Ferit dhe të dy kishin mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin “Sotir Çapo”. Ariela Murati, studente e vitit të 3 për Drejtësi në Tiranë ishte e lidhur prej 4 vitesh me Aldison Belulajn që studionte për Infermieri, por prej dy muajsh ishin ndarë dhe prej 10 ditësh nuk kishin komunikim.
Aldison Belulaj i kishte kërkuar disa herë Ariela Muratit për t’u lidhur. Pavarësisht insistimit të 23-vjeçarit, studentja nuk e kishte pranuar lidhjen e dashurisë. Aldison Belulaj nuk e pranonte dot faktin e refuzimit dhe mesditën e së dielës së kaluar e qëlloi me tre plumba para Fakultetit te Mjekësisë, teksa vajza ishte e shoqëruar me motrën dhe me kushërirën e saj.21-vjeçarja humbi jetën në vend, pasi mori një plumb në kokë, një në krah dhe një në këmbë.
Aldison Belulaj më pas tentoi që t’i jepte fund edhe jetës së tij, por mbeti i plagosur rëndë, ndërsa sot ndërroi jetë në spital. Familjarët e 23-vjeçarit kanë hapur dyert e mortit në Zharrëz, ndërsa presin që të tërheqin trupin nga Spitali i Traumës për ta përcjellë nesër në banesën e fundit.