Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i burgosur me 1 vit për veprën penale “kallëzim i rremë” në dosjen “Babale”, me vendim të formës së prerë, i lënë në fuqi më 26 Shtator nga Apeli i Tiranës, i drejtohet Gjykatës së Lartë për rekurs.
Ish-ligjvënësi që e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, i kërkon pezullimin e vendimit shkallës së tretë, duke pretenduar se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej.
Ai pretendon nxitim nga Prokuroria dhe Gjykata në ekzekutimin e vendimit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë. Salianji kërkon nëpërmjet avokatëve që të pezullohet dënimi, derisa Gjykata e Lartë të shprehet për kërkesën e tij.
“Në lidhje me këtë kërkesë, duke qenë se vendimi i Gjykatë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nuk na është vënë në dispozicion as i arsyetuar dhe as i përmbledhur, si fillim kemi depozituar një “Rekurs të përmbledhur” pranë kësaj gjykate, duke ruajtur të drejtën për plotësimin e tij pas njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës. Në lidhje me këtë fakt i jemi referuar qëndrimit të mbajtur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin Nr. 00-2024-1288 Vendimi, datë 12.07.2024”, thuhet në rekursin e Salianjit.
Ish-deputeti ka gjetur edhe pikëmbështetje në arsyetimet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, duke përmendur një prej pikave të tij, Nenin nr. 164:
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të Kodit Zgjedhor, ç’ka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit. Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale”, theksohet më tej.
Në kërkesën me rreth 9 faqe dorëzuar në GJL, përmendet edhe pasoja e rëndë e ndërprerjes së mandatit, si një nga shkaqet që vendimi i Apelit nuk duhej ekzekutuar menjëherë.
“Po ashtu, është e qartë se ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës. Nga ana tjetër, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon kandidimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se ekzekutimi i këtij vendimi, është iniciuar pa u arsyetuar, por vetëm me dispozitiv (vendim i shkurtuar), format ky që nuk njihet nga K.Pr.Penale apo nga ligji nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, fakt ky që na pamundëson edhe depozitimin e rekursit pranë Gjykatës së Lartë”, nënvizon ai në dokumentin e rekursit.
Parlamenti u njoftua dje (30 Shtator) për dënimin e formës së prerë nga Apeli i Tiranës, gjë që çoi edhe në humbjen e mandatit përfundimtar të deputetit nga ana e Ervin Salianjit. Ai po vuan dënimin në Burgun e Fierit, prej të premtes së kaluar (27 Shtator).
Salianji pretendon pafajësi, teksa në dosje dhe konkluzionet e palës mbrojtëse u vu re se nuk është kërkuar pezullimi i vendimit dhe konvertimi i tij në masë më të lehtë, si dënimi me kusht në shërbim prove apo me punë në komunitet.