Pas miratimit nga Kuvendi të kërkesës së SPAK për lejimin e arrestimit të ish-kryeministrit, Sali Berisha ka folur për mediat në mbyllje të seancës plenare disa minutëshe.
“Ky vendim i paligjshëm jo vetëm që nuk mund të realizojë qëllimet, shkatërrimin e opozitës, por do mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë. Sot, narkoparlamenti në një akt antikushtetues, antidemokratik, votoi në kundërshtim me ccdo procedurë kushtetuese, në kundërshtim me ccdo procedurë ligjore, për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim.
Në një mënyrë apo në një tjetër, parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, dy vite më parë. Por në qoftë se dështoi me 9 shtator, ju garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë, se ky vendim jo që nuk mund të realizojë qëllimet, shkatërrimin e opozitës, por ky vendim do mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë, dhe nën moton: o sot o kurrë, do i japë përgjigjen më të merituar këtij regjimi.
Ajo që mund të them se nga dita e sotme është se parlamenti nga klandestiniteti, përfundoi në parlamentin e vrimës së miut. Edi Rama u fut sot jo nga dyert zyrtare, nga dyert zyrtare të parlamentit, por nga tunelet që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Pra, u fut nga vrima e miut në parlament. Beteja e nisur vazhdon fuqishëm si kurrë më parë dhe e garantoj se kjo opozitë do qëndrojë e pamposhtur në mbrojtjen e idealeve demokratike të saj.”, ka thënë Berisha për mediat.