Biznesmeni shqiptar, Rezart Taçi ka reeaguar pas publikimit të njoftimit nga SPAK që konfirmon se ka një urdhër arresti për të me akuza për pastrim parash. Akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Taçi i ka quajtur të pabaza dhe të pakuptueshme, teksa ka folur për “Albanian Post”.
“Unë nuk arrij ta kuptoj se si mund të nxirret ndaj meje një urdhër i tillë arresti. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë”.
I pyetur mbi lidhjen për të cilët flet SPAK me biznesmenin italian Francesco Zummo, sipërmarrësi shqiptar ka deklaruar se ai as nuk e njeh 90-vjeçarin dhe nuk e ka idenë se kush është.
Ndërsa, mbi vendimin, ai deklaroi se do ta ankimojë menjëherë dhe ka vënë në lëvizje avokatët e tij për këtë çështje.
Ai ka theksuar se nuk ndodhet në Shqipëri personalisht, por hapat e mëtejshëm do t’i ndjekin përfaqësuesit e tij ligjorë, shkruan Albanian Post.
NJOFTIMI I SPAK
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, mbi bazën e informacioneve dhe verifikimeve kryesisht, ka regjistruar procedimin penal nr.211 viti 2021, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) dhe (dh), nenet 28/4, 333/a/2, 334/1 të Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore të kryera për këtë procedim penal, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, në bashkëpunim dhe në koordinim me Drejtorinë Distrektuale Antimafia në Prokurorinë e Republikës në Gjykatën e Palermos, Itali, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme për organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.
Janë mbledhur prova se kjo skemë financiare është drejtuar nga shtetasit italian F.Z. dhe I.Z., në bashkëpunim me shtetasin italian F.P., të shtetasit zviceran me origjinë italiane D.C., si dhe të shtetasit shqiptar R.T., i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. Ky i fundit në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar në këtë veprimtari personat e vet të besuar, rezidentë në Shqipëri, respektivisht shtetasin A.B. dhe shtetasin B. L.
Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shtetasve shqiptarë të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht, për shkak të veprimeve hetimore të kryera nga ana e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.
Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin nr.93, datë 07.11.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur:
Caktimin ndaj personave nën hetim R.T., A.B. dhe B.L., të masës se sigurimit personal “arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit Procedurës Penale, si të dyshuar për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga neni 287, paragrafi (1), shkronjat (a), (b) e (dh), si dhe nenet 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Gjatë hetimeve paraprake të kryera lidhur me këtë procedim penal është vendosur masa e sekuestrimit për shumën monetare prej 18,399,941.50 (tetëmbëdhjetë milion, e treqind e nëntëdhjetë e nëntë mijë, e nëntëqind e dyzet e një, pikë pesëdhjetë) Euro.
Shërbimet e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 12.11.2021 masën e sigurimit personal të vendosur ndaj shtetaseve A.B dhe B.L.
Hetimet paraprake për këtë procedim penal janë në vazhdim e sipër dhe ende nuk kanë përfunduar.