Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar ekstradimin e Arben Frrokut në Shqipëri, me argumentin se i rrezikohet jeta pasi dënimi me burgim të përjetshëm, është dhënë mbi arsye politike. Në një prononcim ish-deputeti Mark Frroku ka deklaruar se vendimi për mosekstradimin e të vëllait në Shqipëri, është bërë bazuar mbi tre arsye.
“Gjykata e Apelit në Hagë ka refuzuar ekstradimin mbështetur ne tre komponentë, e para, sepse atij i rrezikohet jeta nëse kthehet në Shqipëri, e dyta, lidhet me burgimin e përjetshëm që në disa vende të BE nuk ekziston, dhe e treta, gjykata ka vlerësuar se vendimi për vëllain tim është marrë nga politika”, tha Mark Frroku.
Intervista e plotë:
Gjykata e Apelit në Hagë vendosi sot që vëllai juaj, Arben Frroku, të mos ekstradohej në Shqipëri. Cili ishte arsyetimi i Gjykatës?
Vendimi i Gjykatës së Apelit të Hagës, në fakt edhe ai i shkallës së parë, ishte i mbështetur në 3 komponentë. E para lidhej me faktin se ndaj tij ishte dhënë një burgim i përjetshëm në Shqipëri, që në disa vende të Bashkimit Europian nuk ekziston. E dyta ka të bëjë me jetën e tij, që Gjykata çmon se i rrezikohet në vendin e tij dhe e tretë që është më e rëndësishme, të cilën unë e kam thënë edhe më parë dhe do vazhdoj ta them, është fakti se vendimi nga Gjykata në Tiranës është dhënë i motivuar politikisht.
Ndërkohë gjykatat e Holandës, kishin vendosur që të ekstradohej?
Po, Gjykatat e shtetit holandez kishin dhënë ekstradim. Ato kanë një tjetër sistem. Vendimi i dhënë tani është i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Hagë. Kjo gjykatë ka pezulluar të gjitha vendimet e shtetit holandez dhe ka marrë në dorë gjykimin e tij. Shkallën e parë e ka fituar dhe sot fitoi edhe shkallën e dytë që tashmë është një vendim i formës së prerë. Vendimin e shkallës së parë, që në fakt ishte i njëjtë me atë që u dha sot, e kishte apeluar prokurori.
Edhe shkalla e parë kishte dhënë të njëjtin arsyetim?
Po, po. Të njëjtë me arsyetimin që dha Apeli.
Arben Frroku është përfaqësuar atje nga ndonjë avokat i huaj?
Po është përfaqësuar nga dy avokatë holandez. Një burrë dhe një grua. Para një muaji isha vetë aty dhe mora pjesë në gjyq. Isha në sallë dhe kanë qenë prezentë të dy avokatët e Arbenit.
Pas këtij vendimi a është liruar Arben Frroku?
Jo, ende nuk është liruar.
Nëse jeni në dijeni, si procedurë, sa mund të zgjasë çështja e lirimit të tij?
Çështja e lirimit mund të zgjasë aq sa zgjat masa e arrestit. Ai ka pasur një masë arresti 30 ditë.
Ku ka qëndruar gjatë kësaj kohe?
Ka qenë në dy vende të ndryshme. Fillimisht ka qëndruar në një vend 2 vjet e 9 muaj, ndërsa së fundmi ishte në një vend tjetër, ku qëndroi 3 muaj.
Pas këtij vendimi Arben Frroku do të qëndrojë atje?
Po në Holandë i lirë.
Po familja?
Patjetër që po. Ai nuk lejohet që të hyjë vetëm në Shqipëri. Kjo është politika shqiptare. Dy orë pas ngjarjes, politika ka dalë dhe e ka bërë vrasës vëllain tim. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Po tashmë e ka dhënë përgjigjen Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Hagë. /Nga Etleva DELIA, PanoramA/