Grupi i monitorimit apo siç quhet task-forca e ngritur nga qeveria do të ketë në përbërje disa institucione. Vendimi i qeverisë parashikon edhe mënyrën e operimit të task-forcës për parandalimin e keqperdorimit me burimet njerëzore të administratës publike dhe aseteve shtetërore.
“Task-Forca, në bashkëpunim me titullarët e ministrive dhe grupet e monitorimit, të përmbushë detyrat, si më poshtë vijon:
a) Monitorimin e sjelljes dhe të veprimtarisë së administratës shtetërore, sipas këtij vendimi;
b) Monitorimin e administratës shtetërore në drejtim të përdorimit të autoritetit shtetëror vetëm në përputhje me ligjin duke mos lejuar përdorimin e burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të shtetit gjatë procesit zgjedhor si dhe duke mos lejuar kryerjen e veprimeve dhe/ose dhënien e premtimeve, favoreve apo moscenimin e të drejtave të shtetasve, si mekanizëm për favorizimin apo dhënien e votës një subjekti të caktuar politik apo kandidati;
c) Monitorimin e procesit zgjedhor me qëllim konstatimin dhe raportimin e përdorimit gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të mjeteve financiare nga burime të paligjshme apo të krijuara nga veprimtari të paligjshme;
ç) Monitorimin e procesit zgjedhor, përfshirë ditën e votimit, në funksion të mospërfshirjes në të të zyrtarëve apo personave të tjerë që ndodhen në institucione shtetërore, përfshirë personat e burgosur, dhe marrjen e masave për ndëshkimin e atyre zyrtarëve që veprojnë në kundërshtim me ligjin. Pjesë e kësaj detyre është edhe monitorimi i lëvizjes së nëpunësve të lartë dhe të mesëm shtetërorë në qendër dhe qarqe apo bashki gjatë procesit zgjedhor;
d) Monitorimin e përditësimit dhe ndjekjen e problematikave me listat e zgjedhësve;
dh) Monitorimin e zbatimit të masave për pezullimin e iniciativave për kontrata të përkohshme në nivel qendror e vendor;
e) Monitorimin e përditësimit të akteve të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil;
ë) Njoftimin apo kryerjen e kallëzimit penal në Prokurorinë e Përgjithshme për raste të marrjes/vënies në dijeni për kryerjen e veprave penale në fushën zgjedhore;
f) Njoftimin e Avokatit të Popullit kur merr apo vihet në dijeni për kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë procesit zgjedhor;
g) Njoftimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kur merr dijeni apo vihet në dijeni për problematika të procesit zgjedhor;
gj)Bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës me Policinë e Shtetit në funksion të marrjes së masave të menjëhershme në përputhje me ligjin kur konstatohen raste të sjelljeve apo veprimtarive të kundërligjshme gjatë procesit zgjedhor;
h) Çdo detyrë tjetër në funksion të monitorimit të zbatimit të këtij vendimi”,- thuhet në vendimin e qeverisë.