Qytetarët mund të importojnë makina të përdorura me vit prodhimi nga 1 janari 2005 që i përkasin standardit “Euro 4”. Ditën e djeshme janë botuar në Fletoren Zyrtare ndryshimet e vendimit të mëparshëm të miratuar në dhjetor 2018.
Dy janë ndryshimet në vendimin e botuar në Fletoren Zyrtare.
Qytetarët që importojnë makina të përdoruara me vit prodhimi nga 2005, por dhe ata që kanë importuar makina me kriteret e vjetra dhe nuk i kanë targuar, kanë afat deri më 31 dhjetor 2019 për procedurat.
Vendimi i mëparshëm parashikonte që afati i targimit të ishte deri në 1 mars 2019. Të dyja këto ndryshime, hyjnë menjëherë në fuqi.
VENDIMI
Automjetet e përdorura, që do të futen në vendin tonë, duhet të përmbushin kushtet teknike “Euro 4”, e parashikuar sipas vendimit të ndryshuar. “Në vendimin nr. 633, datë 26.10.2018, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon: a) Shkronja ‘c’, e pikës 8, ndryshohet, si më poshtë vijon: ‘c) Autoveturat e përdorura, të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën Euro 4″, thuhet në vendim. Për sa i përket importit të makinave të reja, kriteret kanë mbetur të pandryshuara.
Qytetarët që do të importojnë automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet “Euro 5” dhe “Euro 6”. Vendimi i ndryshuar parashikon gjithashtu se të gjitha makinat e vjetra të ndaluara në doganë kanë afat zhdoganimi deri në 31 dhjetor 2019. I njëjti afat vlen edhe për regjistrimin e mjeteve të vjetra, që nuk përmbushin kriterin “Euro 4”, ndërsa vendimi i mëparshëm parashikonte që ky afat të përfundonte më 1 mars.
“Automjetet e blera para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, që janë nisur për t’u çliruar për qarkullim të lirë dhe regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe që kanë hyrë në territorin shqiptar brenda datës 31.12.2018 dhe nuk kanë përfunduar procedurat doganore dhe të regjistrimit, kanë afat deri në 31 dhjetor 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministra e Infrastrukturës dhe Energjisë, autoritetet doganore, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare”, thuhet në vendim. Për motorët e përdorur, furgonët dhe autobusët vendimi përcakton se duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet nga data e regjistrimit për herë të parë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën “EURO 3”.