Ervin Mata, biznesmeni i shpallur në kërkim për ngjarjen në Ish-Bllok, është vetë dorëzuar mbrëmjen e djeshme në Policinë e Tiranës. Mata, prej rreth 4 muajsh në kërkim, ka zgjedhur ti dorëzohet drejtësisë, ndërsa ende nuk dihet në çfarë kushtesh e ka ndërmarrë një veprim të tillë. Kujtojmë se Ervin Mata, u përfshi në ngjarjen e ndodhur në 5 tetor në një lokal në Ish-Bllok, ku një person humbi jetën dhe u dëmtuan dy të tjerë, ndër ta edhe Ervis Martinaj.
Por ndërsa fillimisht, pati dyshime se konflikti erdhi si pasojë e një ngacmimi që i ishte bërë të fejuarës së Matës, këngëtares së njohur Elvana Gjata, hetimet vazhduan edhe për motive që kishin të bënin për prishje të pazareve të drogës.
DINAMIKA E NGJARJES
Rreth orës 21:30, para se të ndodhi krimi në lokalin në pronësi të Redi Popeskut, që ndodhet në rrugën “Ibrahim Rugova” tek ish-Blloku, kanë qenë të pranishëm disa persona. Në banak ndodhej 36-vjeçari Ervis Martinaj, i shoqëruar nga shoku i tij, El- jon Hato, duke pirë verë.
Ndërsa në një tavolinë ishin të ulur i dashuri i këngëtares Elvana Gjata, Ervin Mata, me dy miqtë e tij, Fabiol Alushi e Geldo Hotin, si dhe me truprojën e saj, Meviol Billo, njëkohësisht edhe mik i tyre.
Deri në këtë moment, burimet thonë se situata ka qenë e qetë dhe pa tensione nga të dy palët, ndonëse një javë më parë disa prej tyre ishin përfshirë në një konflikt, në një tjetër lokal në Tiranë. Shkak për konfliktin dyshohet të ketë qenë ngacmimi i Elvana Gjatës nga Fabian Gaxha, që sipas të dhënave shoqërohej me Martinajn edhe si mik, edhe si truprojë e tij. Disa minuta më vonë, rreth orës 21:40, situa- ta është tensionuar, pikërisht në momentin kur 28-vjeçari Gaxha është futur në lokal. Burimet thonë se 4 personat që ndodheshin në tavolinë janë ngritur në këmbë sapo ai është futur brenda. Fillimisht ka qenë Meviol Billo ai që e ka sulmuar fizikisht Fabian Gaxhën, si hakmarrje për ngacmimin e këngëtares. Në konflikt mësohet se janë përfshirë edhe personat e tjerë. Më pas, në kohën që 28-vjeçari ka nxjerrë nga brezi një pistoletë tip “Glock”, e gjetur nga Policia në vendngjarje, ndaj tij është qëlluar me armë zjarri, duke e lënë të vdekur në vend. Personi që ka qëlluar dyshohet të jetë 41-vjeçari Billo, truproja i këngëtares dhe i të dashurit të saj Ervin Mata. Nga të shtënat kanë mbetur të plagosur edhe Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.
KONFLIKTI
Sipas burimeve nga Policia, por edhe nga pamjet filmike të një kamere sigurie në një prej lokaleve të natës në Tiranë, dyshohet se rreth një javë më parë mes disa prej personave që u përfshinë të enjten në përplasjen me armë, ka pasur një konflikt.
Viktima, Fabian Gaxha, dyshohet se ka ngacmuar këngëtaren Elvana Gjata, e cila shoqërohej edhe nga i dashuri në lokalin ku ndodhi sherri. Sipas pamjeve filmike të publikuara dje, duket se sherri ka qenë i ashpër, me dhunë fizike dhe me goditje me objekte të forta. Ky dyshohet të ketë qenë shkaku i ngjarjes së rëndë që ndodhi dy ditë më parë te ish-Blloku. Ndonëse një javë më parë, palët u shpërndanë, dhe pse pati përplasje të fortë fizike, duket se asnjëri nga personat e përfshirë nuk kishte pranuar që ajo situatë të mbyllej me aq. Ndërsa të enjten mbrëma, përplasja ish- te më e rëndë, u përdorën edhe armët e zjarrit.