Nga Besi Bekteshi
Sigurisht që me largimin nga mbarimi i kohës reale të pushtetit të Llallës, Partia Demokratike, por më shumë se ajo, lidershipi i vogël mbi të – do të shqetësoheshin rëndë dhe tashmë janë në panik të madh. Nuk janë në panik nga “frika” se Prokurorin e Përgjithshëm, do ta kapë, “përqafojë” vendosë Edi Ram. Lidershipi i SHQUP-it nuk e kanë frikë atë dhe as partinë e tij se janë mësuar tashmë. Kjo edhe sepse shqiptarët, jo vetëm që nuk bëjnë drejtësi me shqiptarët, por akoma më shumë, nuk mbajnë fjalët elektorale dhe të bërtitura nëpër salla dhe mitingje për “drejtësi dhe ligj” të zbatuar. Ata e dinë se Rama nuk mund të fusë askërkënd nga të PD-së dhe nga të vetët. E para se nuk ka tagër (nuk është as gjykatës dhe as prokuror) dhe e dyta se vërtetësisht, ai nuk i ka vendosur një ushtri prokurorësh dhe gjykatësish si skuadrone mafioze dhe pasurimi në shërbim të lidershipit demokratik dhe Sali Berishës – sikundër janë sot. As prokurorët dhe gjyqtarët e diktaturës, nuk kanë shërbyer me kaq zell dhe përkushtim, por dhe në pasurim kriminal si – njerëzit e drejtësisë, të emëruar nga doktori dhe që i trashëgoi holandezi kryetar partie apo më mirë i partisë akoma personale të Berishës. Nëqoftëse duhet të shtoj dhe një të tretë është dhe se nuk mundet – por meqenëse po i shkon reformës deri në fund, le të presim më mirë. Largimi i një prej zyrtarëve më të theksuar në mediokritet abuziv, si një shërbëtor i përkushtuar i politikës, por që kishte rolin e akuzës dhe ngritjes së padive kundër korrupsionit dhe mafies, por dhe krimit të organizuar si Llalla – e ka çuar PD-në e Berishës dhe Bashës, në fundin e saj tashmë pa kthim kundër perëndimorëve! Llalla i persekutuari (dikur në dhoma të vogla konviktesh dhe sot me nivel të lartë jetese) në fakt, nuk lejohet të hyjë në SHBA, kurse Gramoz Ruçi ish komunisti i diktaturës në fundin e saj, tashmë po bën vizitën si kryetar Kuvendi në SHBA. Kjo është njësoj – si ti shash (në lidershipin demokrat) me çfarë të mundesh nga goja të tillë levendë politikë, tashmë antiamerikanë e akoma më shumë anti evropianë. Ish komunistin (sikundër e shajnë në SHQUP) Fatmir Xhafaj, ose njeriun e besuar në SHBA-të, në mos qoftë sponsorizim i ambasadës së tyre në Shqipëri, perëndimorët tashmë e kanë pikë reference si për kontributin e reformës dhe të nxjerrjes së vendit nga marrëzia e drejtimit të MB-së, në mënyrë adoleshente dhe të dyshuar pak më përpara. Dakord, kurse kreu i PD-së sot ndihmohet (për foto dhe lobing) nga një turk i dyshuar për vepra anti SHBA-së dhe raportit që ka ajo me lirinë e individëve me banim dhe shtetas së saj. As që bëhet fjalë se njerëzit e PS-së janë më të besuarit e perëndimit megjithë gabime dhe faje në qeverisje – por janë besnikë të perëndimit dhe të gatshëm ti shkojnë reformës në drejtësi (e sponsorizuar dhe drejtuar nga USA dhe UE) deri në fund. Lulzim Basha me shtytjen e madhe të doktorit, e filloi antiamerikanizmin e tij sa idiot dhe anti idealeve të studentëve të 8 dhjetorit që me “plehrat kimike” dhe e rriti në mënyrë eksponenciale, me reformën në drejtësi për të bërë skifo dhe zhurmë të ndyrë antiperëndimore në çadër. Kurse marrëzitë me kanabis duhen kërkuar që nga fjalia e doktorit që thoshte: Lazarati ishte vendimi im politik “full stop” dhe kjo duhet të na bëjë shumë të kuptojmë!
Sot megjithëse e dinë qartë dhe mirë se Euralius dhe Opdate janë organizmat që drejtojnë Reformën e Drejtësisë – sërish si PD, Lulzim Basha dhe doktori mbas tij, dalin haptas kundër tyre. Kanë dhe përdorimin e tre apo katër “juristëve” të tyre të famshëm në komisione dhe bëjnë si “kushtetues” – njerëzit që nuk kanë lënë gjë pa bërë për gjatë gjithë kohës që nga ’90-ta me Kushtetutën. Akuzojnë PS-në dhe Ramën kot fare, sepse duke qenë se janë të pa sinqertë dhe jo seriozë, nuk deklarojnë dot armiqësinë e hapur fare me USA dhe BE. Nuk ngjiten shumë lart me personazhe të USA dhe UE-së, por tashmë Donald Lu dhe Romana Vllahutin janë shpallur “armiq nderi” për SHQUP dhe padyshim për lidershipin anemik, të shpartalluar idesh dhe partie, që sot akoma sundon në medemek të djathtën shqiptare. Po po, dhe sigurisht kanë bishta dhe media që dhe Mogherinin e bëjnë komuniste dhe Hahn të blerë nga PS dhe Rama.
Lidershipin e sotëm të PD-së vetëm “gurët e hedhura mbi perëndimin” mund ta mbajnë mbi partinë. Nëqoftëse nuk do të dalin gjysëm haptas dhe plotësisht në viza si anti perëndimorëve – do të thotë që të bashkëpunojnë me dhe për reformën, të japin votat për ligjet e saj, të aprovojnë atë çfarë perëndimorët kanë përgatitur përfshi dhe zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm me kohë të limituar ose përkohshëm. Por kështu nuk mund të sillen, sepse është njësoj si ti presin biletën vetes për në gjyq. Veprimi i mundshëm për të siguruar jo gjykimin dhe jo hapjen e dosjeve të shumta të tyre, por dhe të tjerëve majtas e djathtas – është dalja kundër atyre, që duan realisht të bëjnë reformën ose faktikisht USA dhe UE. Përndryshe do të iknin dhe nga lidershipi, nga postet dhe ndonjëri dhe shumë shpejt nga politika. Lidershipi i PD-së sot është antiperëndimor në themel dhe absolutisht i vendosur ti shkojë aventurës deri në fund! “Nuk kanë faj” ju kanë prishur interesat miliardere në biznesin politik bashkuar me atë financiar dhe ekonomik në Shqipëri! Nëqoftëse nuk do të ishin USA dhe UE, ky lidership sërish do të kishte çuar në prag lufte civile këtë vend. Do të kishte aktivizuar sërish modelin ’97- të, ndoshta me përmbajtje tjetër, por me të njëjtën dhunë dhe shkatërrim. Biles vazhdojnë të bëjnë thirrje antikushtetuese – dhe askush nuk i “korrigjon” me ligjin dhe Kushtetutën që vazhdojnë të thyejnë! Edhe pse e dinë se fundi i tyre është i qartë – kanë shpresën, se do të trajtohen si “të persekutuar politik” në demokraci. Raporti që ka ky lidership me kuvendin dhe shtetin, është modeli i “kundrapedalit”, mbajtjes së frenave të dorës dhe këmbës, për ekonominë dhe marrjes me gjërat më kot në botë, mjafton që njerëzit të mos kenë mundësi të jetojnë më mirë?! Nga kjo marrëzi përfitojnë dhe të “urtë model skutha” të mazhorancës sot dhe dje, për të bërë punët e tyre dhe jo të shtetit. Po po dhe fillon dhe arroganca e qeverisjes – në saj të një përçmimi që shoqëria ka sot për një opozitë anti perëndimore dhe folklorike deri në marrëzi. Njerëzit nuk kanë kurrfarë alternative më të mirë se sa kjo qeverisje sot. Jo se janë më të mirë se PD-ja dhe aleatët e tyre njëri më kot se tjetri, por në bashkëfajësi hedhjesh të fshatrave në erë dhe vrasje së njerëzve. Pra PS-ja nuk është thjesht më e mirë se PD-ja, por kjo e fundit, është një parti për tu qarë me shami natën dhe ditën, në saj të një lidershipi anti perëndimor dhe me këtë rast antishqiptar.
Partia Demokratike në saj të lidershipit të saj aspak të merituar dhe tashmë antiperëndimor – as që ka luftë dhe “kacafytje” me PS-në. Nuk i bëhet vonë aspak për të. Lidershipi i tillë gjuan me gurë perëndimin sepse kështu mund të vazhdojë dhe pak mbi Partinë Demokratike.
Kjo deri në ditën kur dikush i pari nga pikërisht ky lidership “do të arrestohet” dhe në ato momente, do ta paraqesë veten si “i persekutuar politik” i jo vetëm Ramës, por dhe Lu-së dhe Vllahutinit, për të mos thënë i perëndimit. Ky skenar është dhe njerëzit po presin (jo vetëm te njëri krah politik) dhe sigurisht nuk është klasa politike shqiptare që do ta bëjë – por ndërkombëtarët ose perëndimorët, të cilët e kanë nisur këtë reformë dhe me sa duket duan ta mbarojnë. Llalla është momenti i parë i fillimit të fundit të sundimit të delirantëve mafiozë dhe korruptuar, kudo në klasën politike shqiptare. Më pas, do të shikojmë si do të rrjedhin ngjarjet!