Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta vijon që t’i cilësojë jo legjitime zgjedhjet e 30 Qershorit, ndërsa rithekson se zgjidhja e krizës politike kalon nga dekreti për zgjedhjet e 13 Tetorit. Në një intervistë për mediat italiane, “Il Giornale” nga Gjiri i Lalzit, kreu i shtetit shqiptar shprehet se dekreti i tij mund të kundërshtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese dhe jo nga Kryeministri.
“Nëse nuk do të kisha nxjerrë dekretin për të shtyrë zgjedhjet në 13 tetor, një datë jo rastësore sepse procesi i pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian diskutohet më 18 tetor, një përplasje mes dy fraksioneve politike do të kishte qenë e pashmangshme. Zgjedhjet e 30 Qershorit nuk ishin as kushtetuese, as ligjore, as legjitime, vetëm gjykata Kushtetuese mund të sfidojë dekretin e Presidentit dhe është për të ardhur keq që veprimtaria e tij të pezullohet nga vullneti i Ramës“, tha Meta.