Dje takova një mik të vjetër. Po më tregonte hallin e tij. Kishte lidhur një kontratë para disa vitesh. Por më pas, pala tjetër kishte shkelur haptazi kontratën. Ky miku im thuajse kishte humbur pronën në këtë transaksion, ku pala që incentivon shteti i padrejtë, shkelte kontratën haptazi. M’u kujtua që para pak kohësh nënvizoja në një artikull, që garant i kontratës është gjykata dhe me kolapsin e gjykatave, kush kishte hall në gjykatë do të ngecte brenda. Dhe ja ku m’u vërtetua pa vonesë kjo hipotezë. Ky miku im i ishte drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë, ku pas tre vitesh ia kishin rrëzuar padinë. Kishte shkuar në Apel dhe apeli ia kishte kthyer në Shkallë të Parë përsëri, pas një viti gjyq. Pra, kalvari gjyqësor i kishte rinisur në Shkallë të Parë. Ai kishte pasur shpresë te vetingu, por tashmë ishte i hutuar. I qava hallin sepse vërtet ka rënë në boshllëkun që ka krijuar Reforma në Drejtësi dhe kush e di kur do ta fitojë të drejtën.
Qytetari i thjeshtë kërkon drejtësi të ndershme, pa korrupsion, të shpejtë, efikase e profesionale. Kjo kërkon gjyqtarë e prokurorë, që i gëzojnë këto cilësi. Të tillë ka mjaft, por ka plot që janë antiteza e tyre dhe jo vetëm nuk meritojnë titullin magjistrat, por turpërojnë kolegët e tyre të ndershëm.
Qytetari i thjeshtë, drejtësinë e kërkon për herë të parë në Gjykatën e Shkallës së Parë. Nëse marrin drejtësi të besueshme në Shkallën e Parë, qytetarët nuk kanë pse i drejtohen Gjykatës së Apelit apo Gjykatës së Lartë.
Sot, qytetarit të thjeshtë (nuk ka rëndësi cilës parti i jep votën) i duhen disa vite të mbarojë gjykimin në Shkallën e Parë. Më pas i drejtohet Gjykatës së Apelit, që edhe ajo merr kohë të gjatë për të vendosur. Ndoshta vetëm më pas, nëse nuk ka humbur nervat, qytetari i drejtohet Gjykatës së Lartë. Kur arrin atje, i duhet të presë shumë vite, meqë atje aktualisht flenë 24 mijë dosje dhe mijëra të tjera do të shtohen tashmë që gjykata është bllokuar. Një kalvar, që vetëm kur e mendon, e tmerron hallexhiun.
Pra, qytetarit të thjeshtë i intereson që Drejtësia në Gjykatën e Shkallës së Parë të jetë e pastër dhe e drejtë. Kaq.
Qytetarit të thjeshtë që ka hall për pronën, për gjobën e padrejtë, kontratën e shkelur, apo qoftë edhe ai që është i pandehur në pritje të drejtësisë, as që i bie ndër mend në fillim të hallit dhe kalvarit të tij gjyqësor se kush është gjyqtar i Apelit e aq më pak i Gjykatës së Lartë. Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese ndoshta ai nuk ia di as ekzistencën.
Qytetarit të thjeshtë i duhej që vetingu të fillonte te gjyqtarët dhe prokurorët e Shkallës së Parë, jo te Gjykata Kushtetuese apo Gjykata e Lartë. Nëse ndodh, atje te Shkalla e Parë i ndodh padrejtësia dhe korrupsioni për herë të parë, e më pas nis rrugën për lart në oxhakun e sistemit të korruptuar, me letra në një dorë dhe shukun e parave në tjetrën.
Vetingu i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë ishte i domosdoshëm, por duhej bërë me faza të kujdesshme që të mos shkatërronte këto gjykata, që janë çatia e sistemit dhe ruajnë pavarësinë. Por vetingu i këtyre dy gjykatave supreme nuk i thotë asgjë qytetarit të thjeshtë që sot, pikërisht sot, mban në dorë një padi dhe po i drejtohet Gjykatës së Shkallës së Parë, aty ku vetingu duhet ende kohë të fillojë. Atij i fut ankthin pyetja: Cilit gjykatës do t’i bjerë shorti për çështjen time? Kush është prokurori që do të më hetojë? Sa të rëndë e ka “dorën”?
Qytetari i thjeshtë e sheh vetingun e gjyqtarëve të lartë dhe atyre kushtetues si një telenovelë pushteti, ku qeveria po i zbraz dy gjykatat supreme për t’i kapur nëpërmjet emërimit rishtas të anëtarëve, ndërsa opozita denoncon prej kohësh dhe me të drejtë që vetingu po përdoret për kapjen politike të drejtësisë, me qellim që mos të ketë gjyqtar e prokuror që të dënojnë Ramën. Ama, vetingu i tyre atje në majë, në Olimpin e drejtësisë shqiptare, as që ndikon fare te halli i vdekatarit halleshumë, hall që dergjet në sirtarët e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shkallës së Parë.
Lajmet nga gjykatat dhe prokuroritë e shkallëve të para dhe apelit janë shumë shqetësuese. Qytetarët denoncojnë se pas fillimit të vetingut, po u kërkohen shuma marramendëse. Sigurisht, jo nga të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Por korrupsioni po kërcet fort.
Mesa duket, vetingu ka dhënë sinjalin e kundërt te të korruptuarit. Merr ç’të marrësh sot, merri cash, mos lër gjurmë në llogari bankare, por futi nën dyshek, mos bëj budallallëkun të blesh prona, hiq dorë nga justifikimet “e ndërtova vilën me lekët e librit që shita” ose “bëra dasmën me lekët e pensionit që kurseu mami”. Ato broçkulla i shkojnë dhe i besohen vetëm Edit dhe Erionit, se atyre nuk ia bëjnë vetingun (por edhe nëse këto mufka këta të dy do t’i thoshin para Komisionit të Vetingut, komisionerët do të çoheshin në këmbë me duartrokitje dhe do konfirmonin Edin dhe Erionin në detyrë).
Këta gjyqtarë e prokurorë “ustallarë” të padrejtësisë, mesa duket po i thonë vetes: “Vetingu kërkon 5 vite që të mbarojë. Derisa të më vijë radha pas ndoshta dy apo tre vitesh, kur kanë mbaruar vetingun me gjyqtarët e lartë dhe të apelit, po marr ç’të mundem, po kopsis letrat dhe kur të më vijë radha, po jap dorëheqjen sepse ndërpritet vetingu. Fundja, edhe po më hoqën me veting, në ‘pension’; do të më nxjerrin, sepse vetingu nuk të çon në burg. SPAK-un antikorrupsion që të hedh prangat, Rama do ta mbajë të bllokuar sepse e ka frikë vet, kurse vetingun e ka si megafon propagande. Ndaj, kush e di kur ngrihet ky SPAK-u. Deri atëherë jam rehat, po qesh i kujdesshëm në mënyrën si kërkoj e marr lekët. Ndërkohë, po filloj t’i shkel syrin pushtetit e t’u mbaroj hallet që të më mbrojnë te vetingu”. Ja kështu, mesa duket mendojnë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar të Shkallës së Parë, ata që sot kanë në dorë fatin e bardhë apo të zi të qytetarëve të thjeshtë. Dhe vazhdojnë t’u marrin para hallexhinjve për të drejtën e tyre, pavarësisht vetingut atje lart në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme, KLGJ apo KLP.
Ndërkohë, gjyqet e shkallës së parë do të zgjasin edhe më shumë në mes të kësaj rrëmuje e pasigurie, që ka shkaktuar kjo Reforma në Drejtësi. Nëse fiton, kundërshtari të apelon vendimin dhe tmerri ngjitet një kat më sipër. Nëse humbet, apelon, por ndoshta nuk ka Gjykate Apeli që ta shqyrtoje apelimin. Në derën e Gjykatës së Apelit mund të jetë varur shënimi: “Jemi me inventar (veting). Kthehemi së shpejti”.
Ja pse duhej që vetingu të niste nga Shkalla e Parë. Largimi nga detyra i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar me vendime vetingu që ngjallin besim (e jo veting me dy standarde si ato që po shohim), do të jepte shembull dhe mesazh të fortë për çdo të korruptuar, brenda dhe jashtë drejtësisë. Kjo do mblidhte rripin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në dhënien e drejtësisë së ndershme, të pastër nga korrupsioni, profesionale, efikase dhe të shpejtë.
Por kjo nuk ka për të ndodhur në një të ardhme të afërt, sepse arkitektët mjeranë të Reformës në Drejtësi nuk e dëgjuan opozitën me sugjerimet e saj racionale. Ndërsa maskarenjtë politikë të Reformës në Drejtësi e donin pikërisht kështu. Pse? Përgjigjja është e thjeshtë: “Që të kapnin pushtetin gjyqësor nga koka”. Ramës i duhet Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë. I duhen Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i duhen Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Inspektori i Lartë i drejtësisë dhe shkolla e Magjistraturës. Pra, i duhet të kapë qeverisjen e sistemit të drejtësisë. Mbi të gjitha, i duhet të kapë SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, që të mos ketë kush ta dënojë për tenderët dhe PPP-të korruptive.
Asgjë nga këto nuk i intereson qytetarit hallexhi, që Agjencia e Pronave nuk i ktheu pronën apo i mohoi kompensimin, Tatimet i vunë gjobë të padrejtë apo i mbyllën biznesin, inspektoratet pa fund të qeverisë apo bashkive i nxijnë jetën me gjoba, apo polici arrogant e arreston pse proteston kundër traut 10 euro, që e pengon të shkojë në shtëpi te fëmijët.
Ja pse vetingu i Ramës, siç po zhvillohet, nuk i sjell drejtësi qytetarit të thjeshtë, por thjesht i jep në tepsi Kryeministrit Rama pushtetin gjyqësor. /Nga Oerd BYLYKBASHI, deputet PD/