Shkarkohet nga detyra prokurori i Korçës, Elsion Sadiku. Vendimin e dha paraditen e sotme trupa gjyqesore e kryesuar nga Brunilda Bekteshi në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka ngritur pikëpyetje të mëdha për pasurinë dhe profesionalizmin e zv/kreut të Prokurorisë së Korçës, Elsion Sadikun. Ky i fundit ishte ditën e djeshme përballë KPK-së në seancë dëgjimore.
Sadiku është pjesë e listës prioritare të vetingut, pasi është kandidat për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Trupa gjykuese përbëhej nga Brunilda Bekteshi, Olsi Komici dhe Lulëzim Hamitaj. Vetë prokurori ishte prezent, pa avokat, teksa dëgjoi gjetjet e Komisionit.
Relatori Komici tha se prokurori Sadiku ka deklaruar një tokë bujqësore, e përfituar në vitin 1992, me sipërfaqe 16500 m2 – ku zotëron 1/5, pajisje dentare të përdorura me vlerë 7500 euro, një apartament 108 m2 me vlerë 34,000 euro, ku mbeten për t’u paguar dhe 3800 euro, 900,000 lekë shpenzime mobilimi për apartamentin dhe një makinë “Peugeot 307” e vitit 2002 me vlerë 400 mijë lekë. Problem për prokurorin janë blerja e pajisjeve dentare.
Ai ka deklaruar se janë blerë me kursimet e bashkëshortes deri në vitin 2008 dhe me një hua prej 500 mijë lekësh nga babai i saj. Mirëpo, KPK konstatoi se bashkëshortja e prokurorit nuk ka qenë në marrëdhënie pune ligjërisht para vitit 2009 dhe se subjekti ka mungesë burimesh financiare.
Sa i përket apartamentit 108 metra katrorë, rezulton se Sadiku ka lidhur kontratë në vitin 2013 me firmën ndërtuese, duke i dhënë paraprakisht si kapar 27,200 euro, e cila është mbuluar nga 13,000 euro të marrë mbrapsh nga anulimi i një kontrate të mëparshme, një hua 1 milion lekë nga vjehrri, kursimet e vitit 2012-2013, si dhe një pjesë e shumës së lekëve të mbetura bashkëshortes nga blerja e pajisjeve dentare.
Në vitin 2016, për këtë banesë janë paguar dhe 3000 euro me burim një overdraft bankar dhe kursimet e atij viti. Sipas KPK-së, edhe për këtë aset prokurori ka bërë deklarim të pasaktë dhe ka mungesë burimesh financiare. Një tjetër çështje ishte një denoncim i ardhur ndaj subjektit për pushim të padrejtë të një kallëzimi penal të bërë ndaj dy ekspertëve për falsifikim aktesh. Sadiku kishte vendosur mosfillim të hetimit, ndërsa Gjykata e Apelit Korçë e ka rihapur çështjen.