Sot u denoncua një tjetër skemë korrupsioni mitmarrje në një nga universitetet tona. Është skandali i rradhës, i cili nis me bujë dhe natyrisht do të mbyllet pa shumë zhurmë. Të paktën kështu ka ndodhur në rastet e mëparshme në Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Elbasan…e kudo. Në pjesën dërrmuese janë mbyllur me para. Domethënë, pedagogët e sekserët kanë fituar aq shumë nga “aktiviteti” i tyre, sa i kanë “mbyllur” gojën edhe prokurorisë e gjykatës.
Vetting në drejtësi, vetting në polici, vetting në…kudo vetting! Po në universitete kur do të nisë?
Ne flasim për gjyqtarë e prokurorë që nuk justifikojnë dot pasurinë. Flasim për policë që vetëvriten për të njëjtën arsye. Por nuk flasim për pedagogë, dekanë e rektorë që kanë vila (disa), makina luksoze dhe jetë po në të njëjtat standarte. Mjafton tu bëhet një pyetje: Ku i morën paratë me rrogat e shtetit? Mbi 90% e tyre nuk do të kenë një përgjigje të vlefshme dhe të besueshme. Sepse është e qartë se nuk mund të ndërtohen shtëpi e vila me rrogë shteti, nuk mund të ndërrohen makinat si “mbreti gratë” me 700 mijë lekë në muaj rrogë, sidomos për pedagogët që kanë edhe familje për të mbajtur…
Ka edhe diçka tjetër që e bën vettingun në universitete edhe më emergjent. Gjyqtarët dhe prokurorët nuk besoj se e kanë mësuar “zanatin” pasi kanë dalë nga bankat e shkollës, por gjatë arsimimit të tyre. Shumë syresh e deklarojnë madje edhe nëpër tavolina: Pedagogu im në universitet më kërkoi 200 euro për një notë të mirë, sepse 10-ën nuk ta japin sepse kanë frikë se i zë vendin… E për tema diploma, mastera apo përtej, pagesat shkojnë mbi 500 euro. E në mes këtyre pedagogëve, ka edhe nga ata që kanë kandiduar dhe mund të kenë fituar për organet e vettingut që duhet të kalojnë në sitë gjyqtarët. Madje ka nga ata që edhe kanë larguar me votën e tyre gjyqtarë e prokurorë nga sistemi… /Nga Blerti DELIJA/