Kreu i Gjykatës së Korçës, Admir Belishta nuk e ka kaluar testin e vetingut. Sot KPK ka vendosur shkarkimin e tij nga detyra, nderkohe qe pak dite me pare ishte përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në kuadër të rivlerësimit kalimtar.
Karriera e gjyqtarit u vu në dyshim, teksa hetimi administrativ i thelluar evidentoi një sërë problemesh me disa pasuri të patundshme të kryegjyqtarit të Korçës, si edhe një raport i DSIK-së që nuk shkon në favor të tij, pasi konkludon për kontakte të papërshtatshme. Që në nisje të seancës, relatorja vuri në dukje raportin negativ nga ILDKPKI dhe DSIK. Sipas KPK-së, Belishta ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë, ka kryer fshehje të saj dhe nuk ka burime të ligjshme financiare për të justifikuar pasuritë.
Më konkretisht, gjyqtari nuk ka deklaruar burimin e ligjshëm për blerjen dhe mobilimin e një apartamenti në Korçë në vitin 2009, me sipërfaqe 107 metra katrorë dhe me vlerë 6 milionë lekë. Gjithashtu, ai nuk ka pasur të ardhura të ligjshme për të justifikuar shpenzimet. Gjyqtari vetë, i cili ishte i pranishëm në seancë, tha se burimi i pasurisë ishte i ligjshëm dhe se në kohën kur ka blerë apartamentin, ka qenë beqar dhe mobilimi i tij është bërë hap pas hapi ndër vite, duke i deklaruar shpenzimet në ILDKPKI.
Ai tha më tej se prindërit i kishin dhuruar 1.2 milionë lekë për blerjen e apartamentit. KPK vazhdoi më tej me një pronë tjetër, banesë 62 metra katrorë në Maliq. Sipas hetimit administrativ, Belishta nuk kishte deklaruar burimin e ligjshëm të ndërtimit dhe mobilimit të banesë me një vlerë 2.6 milionë lekë dhe se kishte dyshime për deklarime të rreme për përfitimin e truallit. KPK ngriti dyshime edhe për ndërtim të paligjshëm, pasi shtëpia ishte legalizuar në vitin 2014.
Për këtë pronë, Belishta tha se kishte vënë në vend një amanet të gjyshit të tij. Ai tha para Komisionit se toka ishte oborri i shtëpisë ku ai ishte rritur rreth viteve 1970 dhe se e kishte pronësuar me ligjin 7501. Ai tha se nuk kishte pasur konflikt interesi me personat që kishin menaxhuar dokumentet për lejet.
FIGURA
Sipas DSIK-së, Belishta ka kontakte të papërshtatshme, ndaj nuk duhet të vazhdojë detyrën. Megjithatë, Komisioni u tregua i kujdesshëm për të mos e bërë publik rastin. Edhe Belishta vetë nuk foli gjatë për këtë rast, por përmendi një koleg, me të afërmit e të cilit kishte pasur raporte të mirë dhe tha se detyrën e kishte kryer me integritet duke drejtuar një Gjykatë model, pjesë e shumë projekteve pilote ndërkombëtare.
Ai foli edhe për një person, të cilit i kishte blerë një automjet dhe që përmendej në DSIK, duke thënë se nuk e njihte personalisht, por kishte mundur t’ia merrte një deklaratë noteriale përmes ndërmjetësimeve. Më pas, debati u vendos në tri dosje, të cilat kishin qenë me probleme të hasura në Apel.
Por Belishta kundërshtoi fort vendimet e Apelit, duke thënë se ai kishte zbatuar ligjin. Edhe pse nuk u ndal më imtësisht në to, gjyqtari tregoi një rast për një kontrabandë, ku ishin dënuar në Apel vetëm kontrabandistët, ndërsa doganierët ishin lënë të lirë. /Burimi:PanoramA/