Anëtari i KLP-së, Besnik Cani është shkarkuar nga detyra me vendim të Komisionit të Posaçëm të Apelimit. KPA tha se motivi është mosdeklarimi i saktë i pasurisë. Tashmë Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbetet me 10 anëtarë. Komisioneri Publik e ankimoi vendimin e KPK-së, për prokurorin, Besnik Cani që e konfirmonte në detyrë më 27 nëntor të 2018-ës.
Në njoftimin e KP bëhej me dije se pasi u shqyrtua vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe u mor në konsideratë rekomandimi i paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, Cani nuk plotësonte kushtet për konfirmimin në detyrë.
“Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Besnik Cani”, thuhet në njoftim.