Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në shkollën “Martin Camaj” në Shkodër, për të parë nga afër funksionimin e laboratorit të ri Smart, pjesë e një nisme kombëtare për integrimin e teknologjisë në arsimin parauniversitar.
Shkolla “Martin Camaj” është një nga 200 shkollat e pajisura së fundmi me këto laboratorë inovativë, që ofrojnë nxënësve mundësinë për të fituar njohuritë e para digjitale përmes programeve argëtuese dhe kreative.
Laboratori i ri në këtë shkollë përfshin 14 laptopë, të cilët ushërbejnë 51 nxënësve të klasës së parë dhe të dytë për të marrë njohuritë e tyre të para në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK). Ministrja Manastirliu theksoi rëndësinë e integrimit të njohurive digjitale edhe në lëndët e tjera në shkollë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha gjithashtu se në qytetin e Shkodrës po bëhen investime të rëndësishme në sektorin e arsimit, me fokus të veçantë në përmirësimin e infrastrukturës shkollore. Përveç arsimit, investimet po shtrihen edhe në terrenet sportive.