Kryeministri Edi Rama, deputetë të Partisë Socialiste dhe ministra kanë zhvilluar homazhe në kujtim të 4 viktimave të protestës së 21 janarit 2011. Të shoqëruar nga familjarë të viktimave, ata kanë vendosur karafila të kuq në vendet ku u qëlluan protestuesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Më herët kryeministri Rama e nisi ditën e sotme, 21 janar 2022, “me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron”. Rama shkruan në postimin e tij se ka “ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re”.
Rama me ministra dhe deputetë nderuan edhe këtë 21 janar, 11 vite pas ngjarjes së rëndë, katër protestuesit e 21 janarit, “vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, thekson Kryeministri. Në protestën që përfshiu vendin më 21 janar, mbetën të vrarë 4 qytetarë, më konkretisht Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Asokohe në qeveri ishte Partia Demokratike, ndërkohë që Partia Socialiste ishte në opozitë. Protesta degjeneroi në dhunë, dhe djegie, mes të cilës Garda e Republikës hapi zjarr ndaj protestuesve.