Frika nga mutacioni i quajtur ‘Delta’ i koronavirusit ka bërë që ministria e Shëndetësisë të marrë vendimin për shtrirjen e vaksinimit edhe tek personat mbi 18-vjeç. Kjo do të bëhet duke nisur fillimisht me dy ditë ‘të hapura’, në datë 29 dhe 30 qershor.
Nga Vlora, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se vendimi është marrë pas rekomandimit që kanë bërë ekspertët e shëndetit publik dhe komiteti i ekspertëve.
“Mutacioni Delta mund të na preki të rinjtë apo njerëz që s’kanë qenë të infektuar apo të kemi reinfeksione, ndaj me rëndësi është që të vazhdojmë me fashat që kanë mbetur por të shtrihemi dhe në grupmoshat e tjera”,– tha Silva Bino.
“Bazuar dhe në rekomandimin tuaj, kemi vendosur që si vende të tjera në botë kanë praktikuar nga java e ardhshme dita e martë dhe e mërkurë të jenë ditë vaksinimi të hapura, “open day” për vaksinimin e popullatës plus 18 vjec.
Do jenë ditë ndërgjegjësimi më shumë, por vlen që në grupmosha të ndryshme të popullatës të kemi një nivel të mirë të mbulesës vaksinale për të shmangur shpërthimet epidemike.
Pavarësisht se jemi në situatë të mirë epidemiologjike s’mund të them që jemi imunë qoftë nga covid apo varianet e reja, sidomos ai Delta.
Datat 29 e 30 e këtij muaji të jenë “open day” për vaksinimet e popullatës plus 18 vjec”, tha Manastirliu.
Edhe më tej, do ketë ditë të tilla të hapura dhe do përdoret portali e albania duke nisur nga e diela dhe e hëna, pra nga nesër, për të rezervuar ditën e vaksinimit.