Duheshin edhe 3 muaj që Shqipëria të rikthehej zyrtarisht në demokraci. Kishte ndodhur eksodi i ambasadave të korrikut 1990 por etja e shqiptarëve për liri ishte shumë e madhe. Në Shkodër, mbase si askund tjetër, për këtë liri, shkodranët ishin të gatshëm për çdo sakrificë.
Aleksandër Gruda kishte menduar të nisej drejt lirisë, duke kaluar nga njëri breg i liqenit të Shkodrës tek tjetri, nga Shqipëria në Malin e Zi të sotëm apo ish- jugosllavi. Ishte data 11 shtator 1990, kur kalimi i kufirit mund të shpaguhej edhe me jetë.
Një anije e voëgl luftarake që patrullonte në pjesën shqiptare të liqenit të Shkodrës, mekanik i të cilës ishte Aleksandri, u nis drejt lirisë së shumë dëshiruar. Në bord ishin 18 persona, mes të cilave edhe Anisa që një muaj para nisjes së këtij udhëtimi, kishte festuar 4 vjetorin e lindjes. Ishte vajza e Aleksandrit.
Siç ndodhte gjithmonë në këto raste, thjesht për të marrë 1 apo 2 javë leje, ushtarët e vendosur në pikat në të gjitha anët e kufirit, nisin të qëllojnë drejt anijes. Goditen shumë pjesë të anijes por me manovrimet e tij, Aleksandri arrin ta mbajë në punë dhe të vijojë udhëtimin drejt lirisë.
Pak më vonë, disa nga pasagjerët e anijes i japin lajmin e kobshëm. Plumbat kanë kapur Anisën 4 vjeçare duke i marrë jetën. Megjithatë, Aleksandri vendos të vazhdojë rrugën me vajzën e pajetë në bord dhe 17 persona të tjerë që i drejtoheshin lirisë.
Një histori tragjike, një nga të shumtat e asaj kohe të çmendur. Sot, 32 vite më pas, Aleksandri, familjarë e të afërm janë përsëri në bregun ku Anisa nisi dhe përfundoi tragjikisht udhëtimin e saj drejt lirisë. Një pllakatë e thjesht por me një ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale, nga sot i tregon çdokujt jo vetëm këtë ngjarje tragjike por edhe vlerën e lartë që mund të ketë liria! /ShkodraWeb/