Në Malësinë e Madhe në dy muaj janë shfaqur 70 vatra zjarri. Puna për shuarjen e tyre në shumë raste është vështirësuar nga terreni i thyer e malor, ku edhe futja e mjeteve zjarrëfikëse ka qenë jo e lehtë. Megjithatë, deri tani fatmirësisht nuk ka patur viktima njerëzore.
Në një intervistë për mediat, kryebashkiaku Tonin Marinaj analizon punën e bërë deri tani. Ai ka vënë theksin në mirëpajisjen e repartit MZSH jo vetëm me zjarrëfikëse por edhe pajisje individuale të nevojshme për efektivët. Ai ka nënvizuar se me mundësitë që kemi patur, kemi bërë më të mirën e mundshme.
Marinaj flet edhe për arsyet e zjarreve, duke përjashtuar ato të qëllimshme. Ndoshta dikush mendon të pastrojë parcelën e tij dhe zjarri ikën nga kontrolli, duke dëmtuar pyjet, por edhe në këtë rast është e vështirë të identifikohen përgjegjësit, vijon kryebashkiaku i Malësisë së Madhe.
Por Marinaj e sheh çelësin e suksesit edhe në përballimin e situatës së zjarreve tek bashkëpunimi me komunitetin. Pavarësisht fuqizimit të sherbimit MZSH, në këtë situatë për të përballuar rreziqet, është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi me komunitetin, qoftë përmes sensibilizimit për kujdes të shtuar por edhe në lajmërimin e zjarrëfikësve kur ka shfaqje të vatrave të zjarrit në Malësi të Madhe, thotë Marinaj. /ShkodraWeb/