Duke konsideruar ngarkesën e trafikut dhe shtimin e mjeteve në prag të festave të fundvitit dhe me qëllim menaxhimin e situatave që krijohen si rrjedhojë e trafikut të rënduar në akset kryesore urbane, interurbane dhe pranë tregjeve industriale e ushqimore, Policia Rrugore, krahas masave të shtuara në rrugët dhe zonat problematike, ka vijuar kontrollet për parkimet e gabuara në të gjitha rrugët e kryeqytetit.
Efektivët e rrugores janë orientuar për të monitoruar dhe siguruar rrjedhshmërinë e qarkullimit në rrugët për të cilat janë administruar më shumë ankesa dhe problematika, që lidhen me parkimet në rresht të dytë, në vendet e rezervuara, mbi trotuare etj.
Në funksion të kontrolleve për sigurinë e rrjedhshmërisë së trafikut, vetëm në 24 orë janë evidentuar dhe proceduar administrativisht 840 mjete të ndryshme, për pushim dhe qëndrim të gabuar.