Kryeministri Edi Rama ka qënë sot pranë familjes së Enver Dedajt në Vorë, e cila është bërë me banesë të re, pasi e vjetra u dëmtua krejtësisht nga tërmeti i 26 Nëntorit. Kryeministri premtoi rindërtimin e të gjitha banesave të shembura dhe strehimin në banesa të reja për çdokënd që e ka humbur një të tillë.
“Kush është i pari nuk ankohet, duhet të bëjë më shumë dhe të ecë më shpejt. Do t’i bëjmë të gjitha shtëpitë, të gjithë do kenë shtëpi më të mira se ato që kishin. Duhet vetëm pak durim”,- tha Rama.
Ndërsa i hidhte një sy shtëpisë së re, kryeminstri tha se mungonin abazhurët dhe urdhëroi që të vendoseshin. Por edhe në këtë rast nuk la pa thumbuar, Bashkinë e Tiranës, të drejtuar nga Erion Veliaj.
“Abazhurët, abazhurët, mos u bëni si Bashkia e Tiranës që duhet me ju thonë të gjitha, e pastaj kur ju thua i bëjnë”,- tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj është vënë në siklet nga kryeministri edhe më herët gjatë strehimit të një tjetër familje, ndërsa Rama vuri re muret e shkarravitura i dha këtij të fundit një ultimatum.