Situata e përmbytjeve ka sjellë sot në Shkodër dhe shefin e Emergjencave Civile të Shqipërisë Haki Çako. I shoqëruar nga prefektja Majlinda Angoni, ai ka parë nga afër situatën në zonat e përmbytura. Në Dajç Çako është përballur me administratorin e kësaj njesie administrative Gjovalin Darragjati.
Përfaqësuesi i qeverisjes vendore në këtë territor ka kërkuar vëmendje nga strukturat e qeverisë, duke nisur me mbështetjen me bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Tonet janë ngritur dhe Haki Çako ka ngritur zërin, duke e futur bisedën në shina politike, teksa edhe banorët kanë mbështetur kritikat e Darragjatit për mungesën e qeverisë në këtë situatë të vështirë për Shkodrën. /ShkodraWeb Media/