Pas punës për shumë vite në emigracion, shumë shqiptarë e shkodranë rikthehen në vendlindje për të ndërtuar jetën e tyre në atdhe. Vëllezërit Shqau në Shkodër, janë ndshta personifikimi i shqiptarëve që kursimet e tyre i investojnë në Shkodër. Fillimisht, ishte San Francisko, bar- restoranti në Pedonalen e Shkodrës, tashmë një pikë referimi për vendas e të huaj. Por duket se Nikolin Shqau, nuk do të mbetet vetëm tek ky investim.
Ai ka vendosur të investojë në truallin e të parëve, tej rrënjët e tij, në Njësinë Administrative të Shllakut në Bashkinë e Vau Dejësit. Ideja e tij është ndërtimi i një bisnesi agroturizmi por me cikël të mbyllur brenda zonës. Siç e tregojnë edhe pamjet e kameramanit të apasionuar Mark Gjeka, punimet kanë nisur në zonë. Bisnesmeni me origjinë nga Vukajt e Shllakut, do të ndërtojë edhe një fermë të cilën do ta pagëzojë me emrin e Shën Mhillit.
Në fazën e parë fillestare, kjo fermë parashikohet të ketë mbi 100 krerë lopë, kuaj, dele etj., për tu shtuar me zgjerimin e aktivitetit. Ky agroturizëm tradicional do ti përshtatet zonës dhe traditës, në harmoni të plotë me krahinën ku do të zhvillojë aktivitetin. Shumë shpejt, do të ketë edhe një mundësi më shumë për turizmin malor në zonën e Shllakut dhe suksesi me bar- restorant San Francisko në Shkodër, janë premisë edhe për suksesin me nismën e re të bisnesmenit Nikolin Shqau. /ShkodraWeb Media/