Vllaznia barazoi dje 2-2 me Erzenin për javën e dhjetë në Superligë shqiptare të futbollit. Vendasit e Mirel Josës nuk e mbajtën dot avantazhin e dyfishtë me Aralica dhe Malën, duke u barazuar nga Nonato dhe Kahrimanovic. Goli i dytë i shijakasve u shënua në minutën e 109 të ndeshjes nga penalltia.
Kryesorja Emanuela Rusta pas konsultimit me VAR në fundin e duelit akordoi 11 metërsh për miqtë. Dora e Heric ishte e dukshme që preku topin, me kryesoren nga Elbasani që drejtoi gishtin nga pika e bardhë. Barazimi i Kahrimanovic bëri që tifozët në stadium të ‘tërboheshin’, duke drejtuar sharje dhe sende të forta në drejtim të Rustës.
Është dashur ndërhyrja e sigurisë, që me çadra mbrojtën arbitrat nga sendet e forta. Të njohur si dashamirës futbolli, në Shkodër duket se e tepruan me sharjet në drejtim të Emanuela Rustës, që drejton si kryesore ndeshjen e dytë këtë sezon.