Një çift nga Holanda që kishin ardhur për pushime në Shqipëri u përfshinë në një aksident të ndodhur në aksin Hot i Ri të njësisë Rrethina. Një automjet tip ford i drejtuar nga shtetasi me inicialet Xh.S dyshohet se ka bërë një parakalim të gabuar duke u përplasur me një rulot të çiftit holandez. Automjeti tip ford përfundoi në kanal në anë të rrugës.
Nga ky aksident ka mbetur e plagosur një familjare e drejtuesit të fordit por jashtë rrezikut për jetën. Banorët në Hot të Ri tregojnë se ai aks rrugor është jashtë kontrollit të policisë dhe për shkak të shpejtësisë së madhe dhe shkeljes së rregullave të qarkullimit aksidentet në atë segment janë të shumta. Banorët thonë se shpesh herë kanë përfunduar edhe me vdekje.
Edhe më përpara banorët e fshatit Hot i Ri për shkak të numrit të lartë të aksidenteve në atë rrugë kanë kërkuar që ai aks të ketë patrulla policie ose kamera sigurie pasi qytetarët janë të rrezikuar nga aksidentet për shkak të lëvizjes së automjeteve me shpejtësi të lartë ose mosrespektimit të rregullave të qarkullimit rrugor si në këtë rast me aksidentimin e çiftit holandez.