Kryetarja e Bashkisë Shkodër ka pritur Myftiun e Shkodrës Imam Muhamed Sytari në një vizitë në fillim viti në Bashkinë e Shkodrës. Në këtë takim, me urimin për një vit të mbarë kryetarja, zonja Ademi dhe Myftiu i Shkodrës kanë diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjelltë në të mirë të komunitetit të Shkodrës.
“Ky vit është një vit Jubilar, është 30 vjetori i rikthimit të lirisë së besimit tek shqiptarët”, është shprehur Myftiu i Shkodrës. Është një vit ku aktivitete të përbashkëta me Bashkinë e Shkodrës, autoritetet fetare në Shkodër, qytetarët kudo ku janë, të gjithë bashkë të kujtojmë e promovojmë këtë ngjarje të shënuar në historinë tonë. Është një përvjetor që meriton të sillet në kujtesë përmes aktiviteteve të larmishme dhe të shtrira në kohë.
Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja e Bashkisë Shkodër shprehu angazhimin e saj dhe të institucionit që përfaqëson, për të mbështetur këtë bashkëpunim. Gjithashtu ajo u shpreh se do të vijojë punën për lehtësimin në zgjidhjen e disa prej çështjeve akoma të pazgjidhura për komunitetet fetare, që lidhen kryesisht me të drejtën e kthimit të pronës, zhvillimit të saj dhe thjeshtimit të procedurave për finalizimin e projekteve të zhvillimit.