Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OKB, Nikki Haley, i ka befasuar të gjithë me deklaratën e saj, sidomos shqiptarët. Askush nuk e priste dhe as nuk do ta besonte, nëse këtë gjë nuk do ta thoshte vetë ambasadorja.
Ajo ka zbuluar ‘rrënjët’ e saj në Shqipëri, teksa ka pohuar publikisht se bashkëshorti i saj është me origjinë shqiptare. Ambasadorja Nikki e bëri këtë deklaratë gjatë pritjes së organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Nju Jork dhe Dhoma Amerika në Kosovë, ku ishin të ftuar ambasadorë të akredituar në OKB dhe përfaqësues të diasporës shqiptare e të bizneseve amerikane.
“Ne deshëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria. Kemi shumë gjëra të përbashkëta me kosovarët në komunitetin shqiptar. Ne po përpiqemi që Kosova të marrë njohjen e të gjithë vendeve në OKB dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë derisa Kosova ta fitojë njohjen”, tha Haley, ndërsa videoja është publikuar nga VOA.