Në orën 10.00 ka nisur faza e dytë e ankandit për shitjen e 100% të aksioneve të KF Vllaznia sh.a. Si në fazën e parë, të zhvilluar në Bashkinë e Shkodrës me 11 maj, edhe sot procedura vijon pa praninë e mediave. Në sallën e Këshillit Bashkiak ku po zhvillohet ankandi, janë të pranishëm antarët e Njësisë së Ankandit dhe 3 subjektet që kanë paraqitur dokumentacionin për pjesëmarrje në ankand.
Ditën e sotme, Njësia e Ankandit pritet të shpallë subjektet e kualifikuara për fazën e mëtejme. Nga faza e kaluar, janë tre subjekte që kanë paraqitur ofertat e tyre: Joni 5 Shpk me përfaqësues Emiljano Zhupa, me një vlerë 150 milion lekë, Alban Xhaferi me 62.5 milion lekë dhe Almiro Gurakuqi me 55 milion lekë. Ditën e sotme, pritet vendimmarrja e Njësisë së Ankandit për subjektet që kualifikohen për më tej.
Nëse kualifikohen të tre subjektet, mund të kalohet në fazën tjetër që është ajo e ofertave nga pjesëmarrësit në ankand. Ankandi nis nga 150 milion lekë dhe secili mund të japë ofertën e tij, jo më pak se 3% e vlerës së paraqitur nga Joni 5 Shpk. Nëse do të ketë ndonjë të skualifikuar, duhet pritet 7 ditë për ti dhënë mundësinë e ankimimit në Komisionin e Prokurimeve Publik atij që largohet nga gara. /ShkodraWeb/