Vllaznia do të luajë nesër në Fier ndaj Apolonisë së fundit por e ka vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje. Trajneri i saj Thomas Brdariç në konferencën e sotme për shtyp e ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe po ashtu është shprehur se mungesat nuk do të ndikojnë shumë në lojën e skuadrës. Ja si është përgjigjur ai pyetjeve të gazetarëve:
Profesor, e keni analizuar ndeshjen me Laçin dhe keni nxjerrë mësimet e duhura prej saj?
Po, kemi bërë një analizë të gjatë të ndeshjes me Laçin dhe kemi dalë në konkluzionin se nëse duam të arrijmë diçka, nuk duhet t’i përsërisim sërish ato gabime.
Sa ka ndikuar kjo humbje tek atmosfera e skuadrës?
Ajo humbje nuk ishte një gjë e mirë dhe gjatë analizës e kam konstatuar tek të gjithë keqardhjen e asaj që nuk bënë si duhet gjërat. Humbja ndihet dhe është normale, por prej saj duhen nxjerrë mësimet për të ardhmen dhe duhet të reagojmë menjëherë për të kthyer situatën në favorin tonë.
Luani ndaj skuadrës së vendit të fundit. Një ndeshje e lehtë për Vllazninë apo ka vlerësimin njëlloj sikur të ndesheshit me një ekip pretendent?
Për ne çdo ndeshje luhet si një finale. Nuk ka rëndësi se kundërshtari i rradhës është në vendin e fundit sepse dikush duhet të jetë edhe në atë vend. Por ne do të luftojmë e punojmë për të marrë një rezultat sa më pozitiv, njëlloj sikur të ishim duke luajtur ndaj ekipit më të mirë.
E ndjeni presionin e sponsorit Xhaferi që është shprehur se nëse skuadra nuk do të arrinte të paktën Kupat e Europës, do të ishte një fatkeqësi, madje deklaroi se skuadra do të synojë edhe titullin kampion?
Unë jam shumë serioz në punën time dhe gjithmonë kam deklaruar se shoh nga ndeshja në ndeshje. Humbëm me Laçin dhe e analizuam atë. Kemi për të patur ndeshje të tjera shumë më të forta, por fokusi jonë duhet të jetë gjithmonë aty. Ne nuk kemi pretendime momentale dhe duhet të presim edhe 6-7 muaj të tjerë për të parë fundin.
Pra, a ka një lloj presioni nga sponsori për objektivat e skuadrës?
Ne jemi këtu të gjithë që e duam futbollin dhe prandaj merremi me këtë punë. Por deri sot nuk kemi patur asnjë qëllim për të parë larg, por për t’u fokusuar tek çdo ndeshje. Nuk duam të themi, ekipi do të shkojë këtu apo aty. E rëndësishme është që ekipi e do lojën e bukur dhe do të vazhdojmë të luajmë kështu vazhdimisht.
Përpos Imamit e Krymit që mungojnë me kartona, ka të tjerë që do të mungojnë?
Na mungojnë Imami e Krymi por kemi lojtarë të tjerë që do të luajnë. Janë lojtarë krejt seriozë dhe nuk shohim ndonjë diferencë të madhe në mes tyre dhe prandaj do t’i zëvendësojnë pa asnjë problem.