Arbëreshët e Italisë rikthehen në Shkodër me “Vallen e Fitores”. Për dy ditë, ansamblet arbëreshe, kanë krijuar një atmosferë festive në qytet sipas një agjende të mirëpërcaktuar. Ata janë pritur në një takim edhe nga kryetari i Bashkisë Shkodër z. Bardh Spahia.
Në një fjalë të shkurtër mirëseardhje, Spahia ka shprehur mirënjohjen e tij për ruajtjen e traditave, vlerave, gjuhës e kulturës shqiptare nga arbëreshtë, edhe pse kanë 500 vite larg trungut amë. “Ndjehuni si në shtëpinë tuaj, sepse jeni në shtëpinë tuaj”, është shprehur kryebashkiaku i Shkodrës.
Pjesë e delegacionit nga arbëreshët e San Benedetto Ullano, San Marzano, Lungro dhe Casalvecchio, ishin edhe kryetarë të disa komunave, të cilët gjatë takimit me kryetarin Spahia, shprehën falenderime për mikpritjen e spikatur në Shkodër. Ndërtimi, intensifikimi dhe bashkëpunimi me Bashkinë e Shkodrës jo vetëm kulturë por edhe zhvillim ekonomik e turizëm, u identifikuan si mundësi konkrete.
Gjatë dy ditëve në Shkodër, arbëreshët kanë vizituar kalanë “Rozafa”, Kishën e Zojës për të përfunduar me një paradë festive në rrugët e qytetit. Një natë festive me muzikë e valle, e hapur për të gjithë shkodranët, ishte dhurata- surprizë për qytetarët shkodranë.