Në zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytete, në lokale dhe në afërsi të shkollave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, kanë finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Adekuat”.
Në kuadër të këtij operacioni, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
-Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të shtetasve N. K. dhe P. K. (babë e bir), në lagjen “Skënderbeg”. Nga kontrolli, është konstatuar se ky ambient ishte përshtatur për përdorimin dhe për shitjen në doza, të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, të dy këta shtetas u arrestuan në flagrancë, si dhe u sekuestruan doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 22 vjeç, pasi u kap në këtë lokal, me disa doza të lëndës narkotike kokainë, me vete.
-Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontrolle, një 16-vjeçar që qarkullonte me motomjet. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i janë gjetur disa doza të lëndës narkotike cannabis sativa, ndërsa në banesë i janë gjetur rreth 1.3 kg të kësaj lënde. Nga veprimet hetimore rezultoi se 16-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e posedonte atë, në banesë, për ta shitur në doza që i shpërndante me motomjet. Për shkak të moshës, për 16-vjeçarin nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.