Pas 6 muajsh policia ka zbardhur ngjarjen duke arrestuar njërin nga personat që goditi dhe dhunoi gazetarin Elvi Fundo. Dje policia e kryeqytetit ka vendosur në pranga Ilir Gj. 42 vjeç, banues në Tiranë. 42-vjeçari është sipas policisë njëri nga personat që goditi gazetarin Fundo më datë 08.03.2017.
I arrestuari po merret në pyetje për të zbuluar edhe personin tjetër të ngjarjes në Mars të këtij viti.
Ngjarja ka ndodhur te zona e “Stacionit të Trenit” në kryeqytet, ndërsa Fundo u dërgua në spital, pasi mori disa plagë në trup nga goditjet.
Pas ngjarjes policia publikoi edhe pamjet e autorëve në momentin që u larguan nga zona e “Stacionit të Trenit”.
Hetimet e disa muajve konkluduam me prangosjen e njërit prej dy autorëve, i cili akuzohet për “Goditje për shkak të detyrës”. /shqiptarja.com/