Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, foli për mediat në hyrje të Kuvendit. Ai e nisi duke përshëndetur samitin historik të NATO-s në Bruksel.
“Uroj që ky samit t’i japë përgjigjen më të merituar, terroristit nuklear. Ndaj e konsideroj këtë samit shumë të rëndësishëm për paqen dhe lirinë në botë dhe i uroj shumë suksese,” tha Berisha.
Duke folur për negociatat për bashkim në PD, ai tha se diskutimet duhet të bëhen brenda grupit parlamentar.
“Dua të garantoj demokratët e të gjitha niveleve, se PD është e hapur dhe vullnetplotë për të diskutuar, për të debatuar me çdo anëtar të saj, cilido qoftë ai.
Jemi të hapur të bëjmë gjithçka për garantimin e votës së lirë dhe bashkimin rreth votës së lirë. Pra, nëse nuk bëhet fjalë për një kryesi, mbasi ajo është e shkarkuar me vendimin e kongresit historik të 11 dhjetorit, kjo nuk do të thotë se fjala e demokratëve, cilido qoftë ai, nuk dëgjohet apo nuk përfillet.
Natyrisht fola për 11 dhjetorin, por sanksionimin e plotë 11 dhjetori e mori më 6 mars. Në këtë kontekst, ajo që dua të theksoj dhe siguroj është se PD ka institucionin e saj, tashmë operativ dhe të plotë dhe ky është grupi parlamentar.
PD ka institucionin e plotë të dalë nga kuvendi i 11 dhjetorit, që është Komisioni i Rithemelimit.
Gjykoj se brenda grupit parlamentar të PD mund të zhvillohet çdo debat. Sikundër dua të theksoj, dhe ftoj miqtë e mi, të mos harrojnë bashizmi ishte doktrinë e dhunimit të statutit, të institucioneve, parimeve të partisë. Ai u arkivua së bashku me dorëheqjen e Lulzim Bashës,” tha Berisha.