Dy persona kanë humbur jetën dhe tre janë plagosur mëngjesin e sotëm në Cetinje, pas aktivizimit të një mjeti shpërthyes jo shumë larg Qendrës Sportive atje, njofton Drejtoria e Policisë. Sipas informacioneve jozyrtare të “Vijesti”, janë vrarë Petar Kalugjeroviq dhe Dragan Roganoviq, anëtarë të klanit kriminal Shkaljar.
Njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vend. Sipas një burimi nga kreu i Drejtorisë së Policisë, i dyti më pas ka ndërruar jetë pas plagëve të marra. Të lënduar janë Taso Jovanoviq dhe Mihajlo Borozan nga Cetinja. Shpërthimi ndodhi në orën 09:10.
“Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë punonjësit e policisë. Për zbardhjen e të gjitha rrethanave dhe fakteve, si dhe ndriçimin e kësaj ngjarjeje, punonjësit e administratës policore në koordinim me Prokurorinë e Lartë të Shtetit, Zyra në Podgoricë, janë duke ndërmarrë masa dhe veprime intensive zbuluese, për të cilat publiku do të njoftohet me kohë për rrjedhën dhe rezultatin”, njofton zyrtarisht Policia malazeze.
Për muaj të tërë policia kishte frikë se diçka e tillë mund të ndodhte në Cetinje, pasi një numër i madh i anëtarëve të klaneve kriminale janë liruar në gjashtë muajt e fundit.
Shumica e tyre janë liruar nga paraburgimi sepse gjykata nuk ka nxjerrë as aktgjykim të shkallës së parë tre vjet pas ndalimit të tyre. Numri më i madh i personave, të cilët policia i ka identifikuar si anëtarë të OKG-së, ndodhen në Cetinje.