Një ngjarje e rëndë ka tronditur Lezhën mbrëmjen e kësaj të shtune (2 dhjetor). Nga të shtënat me armë zjarri është plagosur rëndë djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, Eno Nikuaj, i cili ka ndërruar jetë në spital nga plagët e marra.
Mësohet se ai është qëlluar me kallashnikov pranë ujësjellësit të Lezhës ndërsa po lëvizte me një mjet tip fuoristradë drejt shtëpisë dhe ndodhej në spital në gjendje shumë të rëndë për jetën.
Fillimisht, u raportua se ka ndërruar jetë në vendngjarje por më pas, burime spitalore thanë se është në gjendje kritike për jetën. Sipas informacioneve të para, autorët janë larguar në drejtim të Kurbinit pas krimit të rëndë ndaj 40- vjeçarit.
Me një BMW ngjyrë gri janë larguar autorët e atentatit të Eno Nikulajt, i cili mbeti i vrarë me breshëri plumbash këtë mbrëmje në dalje të Lezhës. Makina rezulton me targa AB138HT të vjedhura me 29 nëntor në Tiranë.
Ndërkohë, raportohet se një makinë është djegur pranë aeroportit të Rinasit, disa minuta pas atentatit ndaj Eno Nikulajt në dalje të qytetit të Lezhës. Makina e djegur dyshohet se është e autorëve.
Kujtojmë se biznesmeni Ardian Nikulaj u vra më 19 në prill të këtij viti në lokalin e tij në Shëngjin.
NJOFTIMI I POLICISË
Rreth orës 21:30, në aksin rrugor “Lezhë-Shkodër”, në vendin e quajtur “Ura e trenit”, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi E. N., 40 vjeç, banues në Shëngjin.
Si pasojë është plagosur shtetasi E. N., i cili është transportuar në gjendje shumë të rëndë, në spitalin e Lezhës, për ndihmë mjekësore.
Për këtë ngjarje është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor, si dhe janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore. Ndërkohë, vijon intensivisht kontrolli i zonës.