Vllaznia dhe Tirana luajnë “Klasiken” nesër në 16:45 në “Loro Boriçi”. Dueli vjen në kuadër të javës së shtatë të Superligës, ndërsa sot për mediet ka folur trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric. Kroato-gjermani ka kërkuar fokus në fushë, duke vlerësuar kundërshtarin. Për të do mungojnë Gurishta dhe Mustedanagic, ndërsa Krymi rikthehet pas gjendjes gripale.
“Është një ndeshje e veçantë, jemi të përgatitur për këtë ndeshje të madhe. Të luajmë kundër Tiranës që është një skuadër me përvojë dhe në vendin e parë në Superligë, na duhet të bëjmë maksimumin që ndeshja të flasë për ne.
Ndikon në rrugën e titullit ? Duhet të jemi realistë. Skuadra ime dhe sesi klubi punon është diçka që duhet ta mbajmë, të jemi koherentë. Ndjekim ndeshje pas ndeshje më të mirën për të marrë dhe nesër jemi të motivuar për të marrë fitoren. Që nga dita e parë jemi duke ndërtuar Vlllazninë. Kur shoh sesi punojnë lojtarët, jam krenar dhe them se nesër do marrim më të mirën.
Ndeshja me Kukësin dhe Dinamon – Në futboll gjërat janë të afërta, me Kukësin humbën dy mundësi shënimi të mira dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Nesër mos shohim pas, të bëjmë përpara. Me Kukësin ishte një mësim.
Baza jonë është që çdokush duhet të mbrojë, por me idenë sesi të shënojmë. Synimi im në çdo ndeshje është që ekipi të jetë I balancuar. Në disa ndeshje ndikon edhe qasja taktike.
Nesër duhet të kemi në kontroll emocionet. Të implementojmë atë që dimë të bëjmë më mirë, duke qenë të përqëndruar për të marrë më të mirën.
Çfarë ka të fortë Tirana? Duhet të mbrojmë të gjithë së bashku, sesi të bëjmë presing në zona të caktuara. Kemi përgatitur këtë ndeshje si në sulm apo mbrojtje dhe psikologjikisht. Nesër duhet të jemi trima, Superliga është e vështirë dhe nesër duhet të fokusohemi për më të mirën.
Gurishta mungon – Është I rëndësishëm për ne, dikush do e zëvendësojë dhe nesër vlen që ai duhet të jetë në fokusin e duhur në fushë.
Krymi – Po, do jetë nesër pas dëmtimit.
Ritmi i ndeshjes – Luajmë futboll ndryshe nga ekipet e Superligës, prej saj të jemi më ritmikë në fushë. Të dërgojmë topa në fushë për të dalë te goli.
Barazim? Objektivi është të fitojmë këtë ndeshje. Një ndihmë e madhe do jenë edhe fansat tanë, për të krijuar një atmosferë të mirë për të qenë maksimalisht të përqëndruar në fitoren me Tiranën”, tha Brdaric.