Ura e vjetër e Bunës është kthyer javët e fundit në një shqetësim serioz për banorët e Bashkisë Shkodër. Dëmtimet e dërrasave kanë vështirësuar qarkullimin dhe kthyer lëvizjen në të, në një rrezik për jetën e qytetarëve.
Duke marrë në konsideratë shqetësimet e shprehura nga komuniteti, Bashkia Shkodër ka nisur gjatë të mërkurës punën për riparimin e urës, edhe pse kjo vepër nuk është në juridiksionin e saj, pasi i përket ministrisë së mbrojtjes dhe asaj të kulturës. Specialistët dhe punonjësit e bashkisë kanë nisur ndërhyrjet për të shmangur ndonjë tragjedi.
Ndërsa punohej në këtë objekt, përfaqësuesit e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore i kërkojnë bashkisë të marrë leje në ministri, por nga ana tjetër vetë ministritë që nuk përmbushin detyrimet, vijojnë të luajnë me faktin se kush ka përgjegjësi, pa ju interesuar rreziku me të cilin duhet të përballen qytetarët që kalojnë mbi këtë urë.
LEXONI EDHE: “Bashkia veproi në shkelje të ligjit”, DRTK Shkodër reagon për riparimin e urës së vjetër të Bunës: Kërkuam mbylljen…
Bashkia Shkodër do të përmbyllë punën brenda pak ditësh, gjithmonë nëse nga ana e institucioneve qëndrore nuk mbërrijnë urdhëra shtesë për bllokim të punimeve.
Ura e vjetër e Bunës është mirë të shpallet “zonë neutrale”, ashtu siç janë pak a shumë ato të doganave mes dy shteteve. Nuk duhet harruar se në vitin 2017, në prag të zgjedhjeve politike, u bë një riparim- rikualifikim i plotë, ku nuk mungoi as ceremonia e shiritit nga një ish- ministër. Më pas, ishte një shoqatë që mori përsipër riparimin, duke mos ditur nëse ka marrë leje më herët në ministri.
Ndërsa riparimin e merr përsipër Bashkia Shkodër, “çohet në bisht” zgjatimi i Ministrisë së Kulturës në Shkodër, duke i kërkuar lejen për riparimin nga dikasteri. Urojmë të mos ndodhë asnjëherë, por nëse ndosh ndonjë aksident, ndonjë dëmtim njerëzor, kush do ta mbajë përgjegjësinë? Apo nuk ka problem se lëndohen shkodranët? Si ishte ajo shprehja e kohës së Qoftëlargut, një bie- mijëra ngrihen!